E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetari i pikturave të vjedhura

Gjermani Klemens Tusant, i cili e përkufizon veten "artdetektiv", zbulon kryeveprat që u janë vjedhur hebrenjve nga nazistët për t‘ua kthyer të zotërve. Mes "preve" më të vlefshme radhiten kuadro të autorëve Klee, Renoir, Picasso. Një sipërmarrje shumë e vështirë, por njëherësh edhe mjaft fitimprurëse

Dihet mjaft mirë se sa kryevepra arti u janë vjedhur hebrenjve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Specialistë të vërtetë, përpara se t‘i dërgonin nëpër kampet e përqendrimit ku u vidheshin sendet e vlefshme personale, kujdeseshin për të mësuar gjithçka mbi pasuritë e tyre, duke nisur që nga llogaritë bankare, paratë kesh që mund të fshihnin në shtëpi, por edhe kryeveprat e artit. Periudha mes dy luftërave botërore njihet edhe si një ndër më të lulëzuarat për hebrenjtë e Gjermanisë, në atë kohë kishin arritur të ngjiteshin në skenat më të larta të pushtetit ekonomik, por njëherësh të lulëzonin edhe në fushën e artit. I kishin dhuruar vendit disa emra shumë të mëdhenj artistësh, ndërkohë që nuk ka asnjë dyshim se e dominonin thuajse krejtësisht kritikën e artit. Por në këtë periudhë, falë lulëzimit financiar, njiheshin edhe për pasjen në zotërim të koleksioneve e veprave madhore të pikturës e skulpturës. Fakt që nuk mund të lihej mënjanë nga marshalli Herman Gering, nazisti i fiksuar pas luksit e i bindur se ishte "i fundmit i rilindjes europiane". Vagonë të tërë trenash të mbushur me bizhuteri, sende me vlerë, e sidomos pikturash, me urdhrin e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Geringut, udhëtuan drejt qendrave të posaçme të grumbullimit.

Sot në Gjermani, mbi një "Alfa Romeo" të kuqe, Klemens Tusant, me pamje që të kujton protagonistin e telefilmit të famshëm "Inspektori Derrik", ndjek të njëjtën rrugë për të zbuluar ku kanë përfunduar ato vepra arti të zhdukura prej shumë vitesh. Profesioni i tij, "artdetektiv"

"Gering e mbante veten për koleksionistin më të madh të asaj epoke, ndërsa ishte veç hajduti më i keq i artit të 1900-ës. Unë punoj vetëm për t‘i kthyer gjërat në vendet e tyre", përgjigjet. Dhe për Tusant, të kthesh gjërat në vendet e tyre do të thotë t‘u kthesh pronarëve veprat që u përkasin. Van Dik, Rubens, Degas, Renuar, Mane, Rembrandt, por edhe ekzemplarë të "artit të degjeneruar" nga Pikaso e Kli, që prej 60 vitesh ekspozohen brenda muzeve të famshëm, fondacioneve private apo në shtëpitë që organizojnë ankande.

"Për mua, i rritur si të gjithë gjermanët, nën peshën e holokaustit, e gjitha kjo është një mision". Një mision që në fakt e ka bërë shumë të pasur. Për çdo kuadër të gjetur Tusant kërkon një përqindje, e cila mund të shkojë edhe deri në gjysmën e vlerës së veprës. "Rrezikoj së tepërmi: nëse nuk e gjej veprën klientët nuk më paguajnë asgjë. Paguaj shpenzimet e hetimeve që zgjasin vite, si edhe shpenzimet legale. Por në rast se u kthej veprën, kam të drejtë të mbaj pjesën time". Në Gjermani e quajnë "Zoti 50%", por ai vetë minimizon: "Ndonjëherë arrij të mbaj për vete vetëm 20% të vlerës". Megjithatë nuk duket si sipërmarrje fare pa fitime, duke parë se ka gjetur piktura me vlerë deri në 40 milionë euro.

45-vjeçar, i veshur me të zeza. Edhe celulari i zi, e vetmja mënyrë për t‘u lidhur me të, pasi nuk pranon të tregojë se ku banon. Ka një zyrë në Manhatan, familjen në Këln, ndërsa arkivin e tij të vyer e ka vendosur në një apartament luksoz në Montekarlo. Ai vetë e kalon jetën duke udhëtuar, "pasi Europa është e vogël dhe kur nis gjuetinë nuk e di se ku do të përfundoj".

"Të dish të zbulosh një kuadër do të thotë të dish të përshkosh jetën e njerëzve që e kanë pasur nëpër duar, të kalosh orë të tëra nëpër arkiva, të rindërtosh kalimet nga një pronar te tjetri, por edhe, siç më ka ndodhur, të dish të futesh nëpër muze e arkiva, qoftë edhe duke u hequr si student arti që po përgatit mbrojtjen e diplomës. Gjëja më e rëndësishme është të dish të bindësh drejtorët e galerive që të të lënë të ekzaminosh pjesën e pasme të kuadrove". Gjë që nuk mjafton në të gjitha rastet. "Prej vitesh i jam vënë pas ‘Kullës së kuajve blu‘ të Franc Marc. E di që nuk ka humbur, një dëshmitar e ka parë në Berlin, në muret e ministrisë së Geringut. Një gazetar kujton që, kur ishte fëmijë, teksa luante në kopshtin e zbrazur të shtëpisë së hierarkut të lartë nazist, e pa kuadrin përtokë".

Tusant është bir i një gazetari e një stilisteje. Studionte Filozofi dhe Histori Arti në Berlin dhe ushqente ëndrrën për të realizuar filma artistikë. "Shkrova historinë e një pikture të zhdukur gjatë luftës, një pikturë e Kirshner". Por realiteti rezultoi me më shumë të papritura se fantazia. "Nisa hetimet dhe menjëherë u mbyta nga kërkesat e hebrenjve që donin të gjenin veprat që u kishin konfiskuar nazistët".

Në moshën 25-vjeçare Tusant kupton se bëhet fjalë për një botë të nëndheshme arti, një muze gjigant i humbur, për të cilin askush nuk ka dëshirë të flasë. "Veçova dhjetë piktura dhe për kuriozitetin tim personal nisa t‘i kërkoj". Gjen shtatë prej tyre, por, mbi të gjitha, bie në kontakt me klientët e tij të parë, që të gjithë hebrenj e që kërkonin t‘u kthehej diçka e vyer.

"Në fillim të viteve ‘80 trokiti në derën time një burrë me pamjen e Rasputinit. Më tha që quhej Jen Lisitski dhe se ishte trashëgimtari i intelektualit hebre, koleksionist, artist e arkitekt, El Lisitski". Pas vitesh kërkime, Tusant arriti të shtinte në dorë kuadrin më të rëndësishëm të koleksionit: një Kandiski të ekspozuar pa kurrfarë shqetësimi në Fondacionin Bejeler në Bazel, "akoma i kataloguar si ‘art i degjeneruar‘".

Por Ernst Bejeler, një galerist i famshëm zviceran, as që do t‘ia dijë për prejardhjen e kryeveprës. "Më qeshi në fytyrë. Ajo ishte edhe çështja e parë gjyqësore mbi një vepër arti të vjedhur nga nazistët. Humba dhe dështova, sidomos për shkak të shpenzimeve të shumta gjyqësore". Por Tusant nuk heq dorë. Nis gjithçka nga e para, vepron si një "gjahtar me pagesë", rrëmon brenda jetëve të veprave sikur këto të ishin njerëz. Për t‘i zhvatur galerisë "Moma" të Nju Jorkut një Maleviç, vihet në gjurmët e 31 trashëgimtarëve të piktorit rus.

"Disa prej tyre jetojnë në Turkmenistan. Për t‘i gjetur mora një automjet të vjetër ushtarak rus, i cili më la në mes të shkretëtirës". Në Rusi është shpërndarë i gjithë koleksioni i Adolf Hitlerit. "Diku aty gjendet një nga fiksimet e mia: Herakliu e Demokriti të Rembrandit, pikturë që iu dhurua Fyhrerit nga Geringu".

Një ndër faktorët që e pengojnë më shumë punën e tij është mafia ruse, e cila dominon tërësisht tregun e veprave të rreme të artit. Kjo ka qenë shkaktari edhe i një serie të gjatë kërcënimesh, por që nuk janë të vetmet: "Në Japoni më në fund kisha gjetur një pikturë së cilës i isha vënë pas prej vitesh, por i përkiste një prej krerëve të mëdhenj të Jakuzës, i cili u tregua mjaft bindës teksa më këshilloi se do të ishte shumë më mirë për mua të hiqja dorë".

Tusant, për drejtorët e muzeve, është "djalli" dhe avokatët e tij të specializuar janë bërë për ta një makth i vërtetë. Sot punon për të gjetur 1400 punët e koleksionit Gudstiker, një tregtar holandez i vdekur në mënyrë misterioze në vitin 1940. Deri tani ka arritur të identifikojë 800 prej tyre, falë gjetjes së një libri të zi shumë të çmuar, ku ishte kataloguar gjithçka në mënyrë të detajuar. Një Degas kishte përfunduar madje në Muzeun e Izraelit në Jerusalem. Iu kthye të zotërve.

"Gering shtiu në dorë veprat e galerisë Gudstiker duke sajuar blerje të rreme. E vetmja trashëgimtare sot është nusja e djalit të holandezit, Marei von Saher, një ish-patinuese profesioniste, e vendosur të shtinte në dorë gjithçka që i përkiste. Mbi të gjitha një "Adami dhe Eva" të Lukas Kranaç, prej vitesh i ekspozuar në "Norton Simon Museum" në Pasadena.

"Në fund të luftës aleatët arritën të gjenin shumë vepra, mes të cilave gjendej edhe piktura në fjalë, që iu dorëzuan qeverive të vendeve alete. Qeveria holandeze nuk u interesua shumë për të gjetur trashëgimtarët dhe ia shiti veprën një amerikani. Prej pesë vitesh kam hapur një çështje gjyqësore kundër muzeut, por ndërkohë vazhdoj të ndjek punët e tjera të koleksionit, dy prej të cilave kanë përfunduar në Itali".

"Adami dhe Eva" ishte një ndër punët e preferuara nga feldmarshalli, i cili në një nga rezidencat e tij nuk humbi as rastin për t‘u fotografuar bashkë me kryeveprën. Sigurisht që atëherë as që i shkonte ndër mend se ajo një ditë do t‘u kthehej pronarëve. Por i kishte bërë llogaritë pa "djallin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›