E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamatë e droguara

Gratë e sotme mendojnë se është e drejta e tyre të kenë gjithçka: një shtëpi luksoze, një burrë për fëmijët, një punë të kënaqshme, e pse jo edhe një karrierë të suksesshme. Por sa i lartë është çmimi që paguajnë kur nuk kanë asnjë ndihmë praktike, për shembull kur bashkëshorti mungon, gjyshërit janë larg dhe gruaja është e impenjuar me punë? Si mund ta përballojë e vetme një femër peshën e gjithë këtyre vështirësive? Ndonjëherë çmimi është aq i lartë sa arrin të shkatërrojë të gjithë jetën, ashtu siç i ka ndodhur edhe një nëne angleze, e cila pas shumë sakrificave kuptoi se kishte marrë shumë përgjegjësi mbi vete dhe gjeti qetësi te droga.

Ndërkohë që dy fëmijët e mëdhenj përpiqeshin të bënin punët e shtëpisë dhe vajza e vogël flinte në dhomë, Françeska Kin merrte "qetësuesin" e saj. E mbyllur në banjë, me ndihmën e një kartëmonedhe thithte "qetësuesin" e bardhë në dyshemenë e tualetit. Për një moment gjente të gjitha energjitë e munguara dhe rimerrte kontrollin e situatës: kthehej në kuzhinë dhe sikur të mos kishte ndodhur gjë riniste të gatuante darkën.

Një skenar i dhimbshëm, por që është kthyer në një realitet të frikshëm për shumë familje të shtresës së mesme në Britani. Së fundmi, numri i femrave që abuzojnë me kokainën ka arritur pothuajse atë të meshkujve (750 mijë), vajzat nën 25 vjeçe, por edhe nëna familjare, ashtu si Françeska, e cila është 42 vjeçe.

Françeska ka tre fëmijë, dy djem, 15 e 13 vjeç dhe një vajzë 5 vjeçe. Familja e saj është shkatërruar. Françeska e ka nisur drogën që kur ishte rreth të 20-ave, por në momentin që mendoi të krijonte familje premtoi se nuk do ta bënte kurrë më një gjë të tillë. Problemet nisën pas lindjes së dytë. Ndihej e mbingarkuar nga përgjegjësitë, stresi që duhej të përballonte në punën me kohë të pjesshme, kujdesi që duhej të tregonte për fëmijët dhe shtëpinë. Pra, kishte mbi shpatulla një peshë aq të rëndë, sa nuk dinte si ta përballonte. Françeska filloi të tundohej sërish nga droga gjatë një periudhe pushimesh me disa miq. Filloi ta përdorte nga pak, duke menduar se ndonjë thithje herë pas here ishte ajo që nevojitej për të hedhur pas krahëve të gjitha shqetësimet që i kishte sjell jeta. Kështu, pak nga pak filloi të bëhej një konsumatore e rregullt, por vetëm gjatë fundjavave. Zakonisht thithte diçka të premteve në tualetin e barit ku shkonte të pinte diçka me miqtë. Shumë shpejt konsumimi filloi të bëhej edhe më i shpeshtë. Tani ekskluziviteti nuk ishte vetëm në fundjavë, por edhe gjatë ditëve të tjera, ndërkohë që fëmijët kujdeseshin për shtëpinë. Françeska mbyllej në tualet dhe pasi merrte dozën e zakonshme ishte në gjendje t‘u hynte me vrull të gjitha punëve të shtëpisë pa përtesë, por kur efekti mbaronte, ndihej si një rreckë e vjetër, e zhytur thellë në depresion. Shpenzonte rreth 300 sterlina në javë për pluhurin e bardhë që i jepte fuqi. Kur arriti të kuptonte se nuk ishte më në gjendje të kontrollonte humorin e saj, sidomos para fëmijëve, i tregoi gjithçka bashkëshortit të saj dhe vendosi të kontaktojë me një qendër të specializuar rehabilitimi. Frika se mos humbasin punën, por edhe fëmijët, janë arsyet e shumë femrave të tjera që gjenden në të njëjtën situatë dhe nuk guxojnë të kërkojnë ndihmë.

E njëjtë është edhe historia e Sofi Finit, një nënë 39-vjeçare, drejtoreshë marketingu, e cila për shkak të drogës u divorcua nga i shoqi, humbi fëmijët dhe të drejtën për t‘u kujdesur për ta.

"Problemi qëndron se unë kam qenë gjithmonë kundër përdorimit të drogës", tregon ajo. Problemet nisën pas shtatzënisë. Bashkëshorti nuk ishte i pranishëm dhe si familja e saj dhe ajo e të shoqit jetonin larg, kështu që duke mos pasur asnjë ndihmë iu drejtua drogës. "Mendoja se duhej t‘i kushtoja të njëjtën vëmendje si karrierës, ashtu edhe familjes. Pandehja se brezi ynë arrinte gjithçka që dëshironte, por nuk ishte kështu". Sofia filloi të drogohej krejt rastësisht me një mikun e saj. Menjëherë ndjeu rreth vetes një energji si të ishte 20 vjeçe, sikur nuk ishte ende nënë. Kur u kthye në shtëpi i kërkoi të shoqit të bënin dashuri, pasi kishte muaj që nuk ndodhte diçka e tillë. Bashkëshorti i saj arriti ta kuptonte për shkak të ndryshimeve të shpeshta të humorit. Një ditë, pasi Sofia kishte thithur me shpejtësi dozën në dyshemenë e tualetit, kishte harruar të fshinte hundën. Kur i shoqi, Xhejmsi, e pa kërkoi të ndaheshin. Aktualisht Sofia po kurohet në një qendër rehabilitimi, me shpresën se një ditë do t‘i rikthehet jetës normale.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›