E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nagib Mahfuz, një shekull për të rrëfyer Egjiptin

Shtëpia e tij shihte nga Nili. Vendi më i bukur për shkrimtarin egjiptian për të krijuar, për të shkruar letërsinë e tij, gjithë sa ai, Nagib Mahfuzi njihte. Ai jetonte në një nga zonat më frymëzuese të Kajros, aty ku gjendet pazari dhe merkatot, ku turistët dhe vendasit janë të shumtë, aty ku në rrugë dhe në ajër ndihet ajo era e veçantë e erëzave dhe kafesë, që janë sfondi ideal i romaneve të tij. Librat evokonin të njëjtën atmosferë që ndihet ende edhe sot në vendin e tij, edhe pse shpesh përcilleshin nga një epokë tjetër. Një herë pat thënë se, nëse dëshira për të shkruar do t‘i shuhej, atëherë uronte që ajo të ishte për të edhe dita e fundit e jetës. Dhe kështu ndodhi. Shkroi deri në fund. Ai kurrë nuk u largua nga Egjipti. Nuk e frikën as kërcënimet me vdekje. Gjithë jetën ia kushtoi letërsisë dhe gjuhës së vendit të tij. Nagib Mahfuzi lindi në vitin 1911, në lagjen e njohur al-Gamaliyyah në Kajro. Filloi të shkruajë në moshën 17-vjeçare. Në vitin 1930 u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin egjiptian kundër dëshirës së të atit dhe të mësuesve të tij, por tregimi i tij i parë publikohet vetëm në vitin 1939. Dhjetë tregime të tjera dalin para revolucionit egjiptian të vitit 1952, pas të cilit ai rreshti së punuari për disa vite me radhë. Vepra që e bëri të njohur dhe që përfundimisht e shtoi atë në listën e shkrimtarëve më të mirë të botës arabe, për aftësitë e tij përshkruese të jetës urbane tradicionale të vendit të tij, ishte "Trilogjia e Kajros", e vitit 1957. E pikërisht në atë vit, Egjipti e vlerësoi me çmimin shtetëror për letërsinë. Pas dy vitesh, në vitin 1959, me romanin "Krahina e të rinjve", publikuar pjesë-pjesë në revistën "Al-Ahram", ai nisi të thurte një letërsi të re, që karakterizohej nga një nerv i ri, që merrte guximin të hidhte në letër edhe gjykime politike nën figurat e alegorisë e simboleve. "Ai që herë nëpërmjet impianteve të sfumuar, herë nëpërmjet gjuhës realiste, herë nëpërmjet asaj në dukje të pakuptueshme, themeloi një art të ri në narrativën arabe, që tashmë aplikohet në mbarë njerëzimin". Ishte ky motivacioni që në vitin 1988 e bëri Nagib Mahfuzin të parin shkrimtar arab që nderohej me një çmim "Nobel" për letërsinë. "Unë jam bir i dy qytetërimeve: asaj të faraonëve dhe asaj islamike", ka thënë vetë shkrimtari. Letërsia e tij bazohet në jetën e egjiptianëve të thjeshtë të Kajros. Ajo është e lyer me ngjyrat e traditës gojore egjiptiane, por edhe me ngjyrat e botës së gjerë në veri të Saharasë, nga Oqeani Atlantik deri në Eufrat. Historitë e tij, ku ndonjëherë konfliktet e së tashmes mbështillen me velin e mitit, shfaqen me mjaft qartësi edhe temat bashkëkohore, vështirësia e post kolonializmit, korruptimi, paragjykimet sociale, droga por edhe feja. Me rastin e "Nobelit", në një letër të shkruar në dy gjuhë, në anglisht dhe arabisht ai theksonte: "Flas nëpërmjet një gjuhe pak të njohur nga ju. Po është ajo fituesja e vërtetë e këtij çmimi. Meloditë e saj do të dalin për herë të parë në sipërfaqen e oazit tuaj të kulturës dhe qytetërimit. Shpresoj të mos jetë hera e fundit". Me zërin e tij, ai i ka folur botës së fuqishme arabe. Gati gjysma e romaneve të tij janë përkthyer edhe në gjuhën e kinemasë. Ai i donte filmat dhe kinemanë, një dashuri që e pat njohur qysh fëmijë. Ishte i magjepsur nga filmat që shihte. Por deri në një periudhë të caktuar asnjëherë nuk ishte bërë pjesë e saj. Pas vitit 1947 shkrimtari "takon" kinemanë. Kështu iu dha mundësia të njihte prapaskenat e një arti, të cilin gjithnjë e pat dashur e që megjithatë mendonte se ishte një art disi vulgar në krahasim me letërsinë. Por ndodhi që e dashuroi po aq sa edhe letërsinë. Shenja më e madhe që kinemaja la edhe në letërsinë e Mahfuzit, ishte fakti që e bëri të kuptojë më shpejt, të ishte më i prerë në ato që shkruante dhe të përqendronte ato krijimet e tij. Në Egjipt, çdo publikim i veprave të tij kthehej ngaherë në një ngjare të vërtetë kulturore në botën arabe. Por ajo ka mbërritur edhe në botën perëndimore, ashtu e fortë, zëdhënëse e një islami të moderuar, thellësisht e ndryshme dhe kundër integralizmit. "Unë jam në anën e ndërgjegjes, rruga e vetme e shëndetshme në këtë oqean të stuhishëm injorance në të cilin jetojmë". Për këtë arsye shkrimtari urrehej dhe akuzohej për blasfemi nga integralistët islamikë, aq sa disa prej veprave të tij gati u ndaluan prej autoriteteve të vendit të tij, sepse konsideroheshin "të padrejtë ndaj fesë". Dhe ishte kaq i përfolur në ambientet e Xhihadit sa u dënua me vdekje prej tyre, njësoj si shkrimtari indian Salman Rushdie. Persekutimi u shtua më shumë akoma, në mënyrë të veçantë për librin më të kontestuar të tij, shkruar në ‘59-ën, "Krahina e të rinjve", i cili për një kohë të gjatë u censurua në Egjipt e Liban. Në vitin 1989 policia i ofroi mbrojtje, por ai që asokohe kishte mbushur 77 vjeç refuzoi. "Kjo mund të shqetësojë jetën time dhe të tronditë zakonet e së përditshmes", shpjegoi më pas. Pas pesë vitesh të qeta, Xhihadi nga fjalët kaloi te faktet: më 14 tetor të vitit 1994, ditën e përvjetorit të gjashtë të çmimit "Nobel", një atentator e sulmon ndërsa po dilte nga shtëpia, duke e goditur dy herë në fyt. Shkrimtari shpëtoi për mrekulli e më pas për këtë atentat u arrestuan dhe u procesuan shtatë ekstremistë islamikë, të cilët disa muaj më pas u dënuan edhe me vdekje. Nagim Mahfuz ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare më 30 gusht të vitit 2006. Për thuajse një shekull, shkrimtari rrëfeu Egjiptin, kohën kur jetoi me të bukurat dhe të shëmtuarat e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›