Personalitete të arkeologjisë nderohen me tituj në Gjirokastër
Me propozim të Drejtorisë së Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër, arkeologu i njohur, prof. Neritan Ceka, është shpallur "Qytetar Nderi i Qarkut të Gjirokastrës" me vendim të posaçëm të këshillit të këtij qarku. Bashkë me të janë nderuar me të njëjtin titull edhe dy arkeologë, drejtorja e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, prof. Shpresa Gjongecaj dhe arkeologu grek, drejtor i Muzeut Arkeologjik të Janinës, prof. Konstandinos Zahos, të dy bashkëdrejtorë të ekspeditës shqiptaro-greke në Parkun Arkeologjik të Antigonesë. Për të bërë vlerësimin për kontributin e tyre në ngritjen dhe administrimin e parkut, këshilli i qarkut ka miratuar edhe dhënien e titullit "Personalitet i shquar në fushën e Arkeologjisë" për arkeologun prof. as. Dhimitër Çondi, dhe titullin "Mirënjohje nga Qarku i Gjirokastrës", për drejtorin e këtij parku Engjëll Serjani, si dhe ekspertin e turizmit, Ilir Lluri. Titujt e nderit janë dhënë me një ceremoni të posaçme organizuar në qendrën e Parkut të Antigonesë gjatë ditëve të zhvillimit të Takimit të Tretë të Riteve pagane dhe Lojnave Popullore në Antigone. "Më vjen jashtëzakonisht mirë që nderohem me këtë titull këtu në Antigone. Ndihem mjaft i respektuar dhe mendoj se ky nderim i përket në radhë të parë tim eti, themeluesit të arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka, dhe arkeologëve të përkushtuar, si të ndjerit Dhimosten Budina, që zbuloi dhe identifikoi Antigonenë si një kryeqendër e lashtësisë në luginën e Drinos", u shpreh prof. Ceka, i cili prezantoi gjatë kësaj ceremonie edhe kopjen e parë të librit të tij të ri, "Antigonea". Gjatë dy ditëve të fundit, në mjediset e hapura të Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër, rreth 15 grupe përfaqësuese nga të gjitha rrethet e rajonit jugor të vendit morën pjesë në veprimtarinë kulturore "Takimi i Tretë i Riteve Pagane dhe Lojnave Popullore - Antigone 2009". Kjo është një nga veprimtaritë më të fokusuara në fushën e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore që po kthehet në një traditë të përvitshme në Antigone. Veprimtaria shfrytëzohet nga organizatorët dhe komuniteti i banorëve jo vetëm për zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zonë, por edhe për të ruajtur rite dhe tradita të lashta që janë duke u zhdukur, si dhe për të nxitur dëshirën e moshave të reja për të interpretuar ritet dhe lojnat e lashta pagane.