Agim Sulaj, piktura e karikatura në Tiranë
Piktori dhe karikaturisti Agim Sulaj rikthehet në Tiranë me një ekspozitë vetjake. Pas Vlorës, vendlindjes së tij, Sulaj vjen në kryeqytet në një takim me publikun në galerinë e tij personale. Janë të ekspozuara disa piktura të zgjedhura dhe një pjesë e çmimeve që artisti ka marrë në konkurse të ndryshme ndërkombëtare për karikaturën. Më i fundit është ai i pak ditëve më parë, në konkursin kombëtar "CartaVetrata Italia", ku artisti shqiptar ka marrë "Grand Prix" me veprën "Emigrimi", në konkurrim me 106 artistë të tjerë. Në një kënd të ekspozitës, Sulaj ka ekspozuar diplomat apo trofetë e marra në konkurset e karikaturës. Simbol i emigrimit është sërish një valixhe, element i hasur shpesh në pikturat e tij. Artisti njihet për pikturat e tij të stilit realist e hiper-realist. Një pjesë të madhe të punës së tij Sulaj ia ka kushtuar ciklit të fëmijërisë, personazhe të cilët ka preferuar t‘i vendosë kryesisht në natyrë të hapur. Prej disa vitesh Agim Sulaj jeton dhe punon në Itali, ndërsa punët e tij janë pjesë e një prej galerive më të njohura në stilin realist e hiper-realist, galeria "Forni".