Forumi i ri i Edi Ramës, një karikaturë politike që do i ofrojë vendit veç karikaturën e rebelimit të 1997-s
Tashmë është zyrtare. Edi Rama ka vetëm shembullin e rebelimit komunist të 1997-s, padurimin e falangave komuniste për të ardhur në pushtet dhe domosdoshmërinë për t’u vënë në krye të nomenklaturës si modelin e tij politik në vitin 2009. Nuk shfaqet asnjë ndjeshmëri për reformat me të cilat po përballet vendi, për nevojën urgjente për të përfunduar një kurbë detyrimesh që do ta integronte edhe formalisht në Bashkimin Evropian, por si leninisti më i bindur, Edi Rama i është rikthyer sërish celulave të Hakmarrjes për Drejtësi, të krimeve të ’97-s dhe të filozofisë së marrjes së pushtetit me dhunë. Rasti e do që edhe emërtesa e amalgamës antishtetërore që pretendon të udhëheqë politikën e rrugës pas 10 tetorit mban të njëjtin emër “Forumi për Demokraci”, duke treguar se kuzhina që urdhëron të tilla nisma antishqiptare mbetet e njëjta. Mbetet të imagjinohet se cili do të pretendojë të luajë rolin e Hakmarrjes për Drejtësi e të Zani Çaushit në konfigurimin e ri, cili do të jetë ithtari i komiteteve të shpëtimit, por edhe se cilët do të pretendojnë të marrin pushtetin në të ardhmen... Nuk është e vështirë të lexohet edhe rishpërdorimi i Rexhep Qoses, edhe sulmet ndaj intelektualëve me filozofi evropiane, por edhe segmentet mediatike që janë rreshtuar në llogoren e parë të rikthimit të Shqipërisë në gjirin e familjes perëndimore. Të gjitha antifigurat pretendohen të përfaqësohen nga Edi Rama, i cili mishërohet si karikatura e protagonistëve të rebelimit leninist të 1997-s. Në takimin e sotëm u shfaqën të djathtë-karavidhe, u shfaqën renegatë të LSI-së, u shfaqën ylberistë të orëve të para, por më e lexueshmja ishte se u rishfaqën fosile të tilla të 1997-s si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade, etj. “Edhe ne te spektrit te djathte u japim mbështetjen dy pikave esenciale te kohes, bojkotit dhe protestes. Sot kur ka marre fund gjithcka, kjo eshte zgjidhja e vetme”, u shpreh Spartak Ngjela, krejt si në një film karikaturesk bardhezi, që merrte shkas nga 1997-a.
Bërthama e karikaturës mbetet Edi Rama, i cili gjatë viteve të fundit ka koleksionuar aq shumë dështime politike, sa ka vënë në pozitë edhe ndërkombëtarët, të cilët s’po dinë si t’ia bëjnë me një kufomë politike, që ka të vetmen energji, atë të refuzimit për t’u varrosur.
...