Presidenti Topi priti sot Ministrin e Jashtëm të austrisë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr, Bamir Topi priti sot në Presidencë Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Mihael Shpindeleger dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në vendin tonë. Sikurse ben te ditur Zyra e Shtypit e Presidences, zoti Topi vuri në pah marrëdhëniet shumë të mira bilaterale që ekzistojnë mes dy vendeve tona, të cilat demonstrohen edhe nga shkëmbimet gjithnjë e më të shpeshta të vizitave në nivelet më të larta, tregues i të cilave është edhe vizita e sotme e Ministrit të Jashtëm austriak. Presidenti Topi shprehu vullnetin dhe angazhimin e plotë institucional për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke vënë në pah rëndësinë e liberalizimit të regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe rritjen e kontakteve politike dhe ekonomike-tregtare në nivele edhe më të larta. Kreu i shtetit i shprehu Ministrit të Jashtëm austriak mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë për vendin tonë në rrugën e integrimit drejt familjes së madhe evropiane. Në takim u diskutua edhe mbi situatën në rajon, ku dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh, kontribuon ndjeshëm në qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger, pasi falenderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe uroi Presidentin Topi për sukseset dhe zhvillimin e Shqipërisë, vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore mes dy vendeve tona, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Austrisë për të vazhduar mbështetjen e fuqishme në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese te Shqipërisë në Bashkimin Europian. Z. Shpindeleger, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, theksoi se qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e secilit prej vendeve të Ballkanit është e rëndësishme jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë rajonal e më gjerë, sepse e ardhmja e të gjithë rajonit ballkanik do të jetë pa asnjë mëdyshje integrimi europian. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Florian Raunig.
...