Kujtimet e ish-presidentit promovohen në Tiranë
Pas Vlorës dhe Beratit, ish-presidenti Alfred Moisiu e ka promovuar në Tiranë vëllimin e tretë më kujtime. "Midis Nanos dhe Berishës; Kujtime 3", botuar nga shtëpia botuese "Toena", është një përmbledhje e shënimeve që Moisiu ka mbajtur gjatë pesë viteve në krye të shtetit(2002-2007). Në sallën e Muzeut Kombëtar, kanë qenë të pranishëm edhe figura të tjera politike, ndërsa ka qenë një tjetër ish-president, zoti Rexhep Mejdani që ka bërë një prezantim të këtij vëllimi të tretë me kujtime. Ashtu siç vetë Moisiu ka treguar, nxitja për t‘i shkruar këto shënime erdhi pas lënies së detyrës si President. Ndërsa zhvillimet politike ishin një tjetër arsye që e çuan të shkruante e më tej të botonte. U bënë tri vëllime, por z. Moisu shprehet se ka ende gjëra për t‘u thënë. Ai beson se këta libra do të shërbejnë jo vetëm si dokumentim i punës së tij në funksionin e kreut të shtetit, por zbardhin për brezat që do të vijnë edhe disa ngjarje të rëndësishme politike, si kanë reaguar funksionarë të caktuar për vendime madhore. Ka mbajtur 7 ditarë që në këtë rast i kanë shërbyer si dokumente dhe i është dashur ta shohë disa herë materialin e shkruar para se ta çojë për botim. Gjatë promovimit të djeshëm, Moisiu nuk i ka kursyer deklaratat politike, referuar zhvillimeve të fundit. "Nuk e di se pse nuk më kuptuan se çfarë synoja të bëja për pozicionin ku kam qenë. Gjithsesi, është për të ardhur keq që ne kemi politikanë që mendojnë për veten e tyre dhe jo për punët e shtetit", ka thënë dje ish-presidenti Moisiu, duke i drejtuar një falënderim stafit me të cilin ai punoi atëkohë.