Gjykata Supreme rrëzon ligjin për imunitetin e Berluskonit
Gjykata Supreme ka marrë dje vendimin e hedhjes poshtë të ligjit që i jepte Kryeministrit të Italisë dhe disa drejtuesve të lartë të pushtetit të drejtën që të mos hetoheshin për asnjë lloj çështjeje për sa kohë që do të ishin në detyrë. Kjo e zhvesh menjëherë Berluskonin nga imuniteti ndaj çdo hetimi apo gjykimi. Gjykata ka zhvleftësuar ligjin që me të ardhur në fuqi mbylli menjëherë shumë çështje civile e penale të hapura ndaj Berluskonit, mes të cilave edhe çështje në të cilat ai akuzohej për korrupsion. Ligji u miratua menjëherë pas ardhjes në pushtet të Berluskonit një vit më parë. Kundërshtarët e këtij ligji deklaruan se dhënia e imunitetit disa personave të caktuar ishte një shkelje flagrante e parimit më të shenjtë të drejtësisë, atij që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Menjëherë pas këtij lajmi ka pasur shumë spekulime në media që gjyqet ndaj Berluskonit do të rihapen menjëherë dhe do të vazhdojnë aty ku u lanë me hyrjen në fuqi të ligjit. Ligji u çua në apel në Gjykatën Kushtetuese nga një grup prokurorësh të çështjeve të Berluskonit, të cilët i kërkuan Gjykatës Supreme që ta shqyrtonte ligjin duke u nisur nga fakti që ai ishte bazuar mbi parime të padrejta dhe pabarazie. Sipas tyre, imuniteti e vendoste Berluskonin mbi ligjin çka në vetvete ishte në kundërshtim me ligjin. Për vetë Berluskonin, ligji ishte i duhuri për të, sepse do ta lejonte që të punonte i qetë për të mirën e vendit pa pasur vazhdimisht presionin e çështjeve gjyqësore mbi kurriz. Mësohet se pas vendimit të gjykatës, aleatët e Kryeministrit kanë deklaruar se do të qëndronin përkrah liderit të tyre pavarësisht nga vendimi i fundit dhe se qeveria do të vazhdonte punën rregullisht. Ndërkaq mësohet se mënyra se si avokati i Berluskonit e ka mbrojtur klientin e tij ka qenë me të vërtetë e rrallë. Nicolo Ghedini deklaroi se Berluskoni duhet të qëndronte mbi ligjin duke iu referuar "Fermës së Kafshëve" të Orwellit ku kafshët nuk ishin aspak të barabarta. Për sa u përket gjyqeve të tij bëhet fjalë për 8 të tilla të cilat ishin hapur para miratimit të ligjit. Për gjykatësit dhe prokurorët që e çuan në gjyq ai është shprehur se ata janë "kanceri" i shoqërisë dhe se duheshin mundur. Ligji i rrëzuar mbronte përveç Berluskonit edhe katër zyrtarë të tjerë të lartë italianë. Berluskoni është shprehur dy ditë më parë se qeveria e tij do ta çonte deri në fund mandatin e saj 5-vjeçar të qeverisjes. Por pavarësisht skandaleve e gjyqeve, Berluskoni 73-vjeçar vazhdon që të mbetet figura më popullore në Itali. Ai aktualisht ka shumicën parlamentare dhe mund të vazhdojë qeverisjen, por nën presionin e gjyqeve edhe mund të marrë në konsideratë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, apo largimin nga detyra. Por nëse Parlamenti do të shpërndahej dhe do të mbaheshin zgjedhje të reja, Berluskoni nuk do ta kishte sërish problem që të fitonte një tjetër mandat.