Sean Penn, në Akademinë e Arteve
Jeta e tij ndryshoi historinë, kuraja e tij ka ndryshuar shumë jetë. Kështu është cilësuar jeta e Harvey Milk, homoseksualit të parë të deklaruar në Shtetin e Kalifornisë, i cili u pranua të ishte pjesë e politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në sallën Black Box të Akademisë së Arteve në Tiranë u shfaq dje filmi "Milk" i drejtuar nga regjisori Gus Van Sant. Filmi autobiografik rrëfen jetën e politikanit homoseksual, i cili u vra në vitin 1978, së bashku me kryetarin e bashkisë, George Moscone, nga një ish-këshilltar homofob dhe i paqëndrueshëm. Milk, është një personazh tepër i njohur sidomos për betejën e tij për të drejtat e homoseksualëve. Ai interpretohet prej aktorit të mirënjohur, Sean Penn. Gjatë shfaqjes së filmit ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. John Withers. Ai tha se Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka nderuar atë me "Medaljen e Lirisë" dhe Milk është një personazh i cili përcjell mësime të vlefshme për të gjithë. Ai theksoi se është koha për barazi dhe duhet të ndalohet diskriminimi gjinor. "Milk" ka fituar tetë kandidatura për çmimet "Oscar 2009", duke fituar dy prej tyre, një për aktorin më të mirë protagonist me Sean Penn dhe tjetrin për skenarin më të mirë nga Dustin Lance Black.