E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Toro emërohet zv/drejtor i AKKP-së

TIRANE - Përfaqësimi i pronarëve në nivel drejtues në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të ndikojë pozitivisht në vendimmarrjet që lidhen me pronësisë në vend.

Agim Toro, sekretar i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", i sapoemëruar si zëvendës/drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave tha të enjten për ATSH-në se, detyra e re do të shërbejë si një garanci më tepër për zbatimin e ligjeve të pronësisë dhe për kompensimin sa më të shpejtë të pronarëve.

"Përfaqësimi i shtresës së pronarëve në administrimin dhe zgjidhjen e çështjes së pronave ishte një domosdoshmëri", tha Toro.

Duke iu referuar planit afatshkurtër, Toro thotë se, një nga problematikat për të cilat pritet një zgjidhje e shpejtë është ajo që lidhet me kompensimin financiar të pronarëve të shpronësuar.

Qeveria ka deklaruar se do t’i japë një ritëm më të shpejtë zgjidhjes së problemit të pronësisë në vend, duke zhvilluar një proces paralel legalizimesh dhe kompensimesh. Pavarësisht ecurisë së procesit të legalizimeve, procesi i kompensimit nuk është ende në nivelin e duhur, edhe pse me mijëra dosje presin zgjidhje.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›