E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, FRD prezantohen kandidatët

DURRËS-Kryetari i Fryma e Re e Demokratike prezantoi sot në Durrës, kandidatët për deputetë të këtij Qarku.

Lista e kandidatëve kryesohet nga deputeti prej dy mandatesh në këtë qark, z Gazmend Oketa dhe nga Sami Gjergji, biznesmen i njohur në qarkun e Durrësit.

“Shpresojmë për një fitore spektakolare. FRD synon të fotojë bindshëm në Durrës në 23 qershor”, tha Sami Gjergji.

Gazmend Oketa, i cili kryeson dhe listën tha në fjalën e tij se ndjen detyrimin për të folur në emër të kolegëve të tij të ekipit të FRD. “Jemi sot këtu në një moment kur politika ka humbur në besueshmëri e në integritet, në raport me qytetarët shqiptarë. Jemi këtu për një përpjekje qytetare për të dëshmuar se ky vend ka edhe vlera e qytetari, ka modele të ndryshme nga ato që ofrojnë partitë e tjera politike. Vijmë me projektin tonë politik për ata që besojnë që Shqipëria ka nevojë për një moralitet politik, për ata që besojnë se ka nevojë për shanse të barabarta për të gjithë qytetarët. Ne vijmë si një nevojë e madhe politike e qytetarëve të vjetër e të rinj të Durrësit. Ne kemi një kontratë besimi me qytetarët durrsakë, ata vijnë me presionin e pushtetit, dhe me paratë që ju kanë vjedhur qytetarëve. Ne kemi një mision qytetar, dhe do ta vazhdojmë projektin politik përtej këtij mandati”.

Oketa theksoi se FRD dëshiron t’i japë shpresë atyre që janë zhgënjyer nga politika, kurse qytetit të Durrësit, një fytyrë komplet të re. Ai ftoi durrsakët të votojnë atë kandidat që respekton qytetarin.

“Duam të ngrejmë një të djathtë të re. Duam të japim shpresë atyre që janë zhgënjyer nga politika. Ne nuk duam që Durrësi të mos trajtohet nga disa si një burim i madh me doganën. Nuk duam që Kruja të shihet si një gurore massive por si një kryeqytet historik. Nuk duam që Shijaku të identifikohet me emra të veçantë të bizneseve politikë por si një urë midis Durrësit dhe Tiranës. Merrni pjesë në votime. Dhe zgjidhni me votë atë kandidat që ju respekton. Zgjidhni atë kandidat dhe atë parti që na bashkon e nuk na ndan me politikat Europiane. Fitorja e FRD nuk do të jetë personale por e qytetarisë durrsake, e cila ka ditur të bëjë diferencën. Unë besoj se edhe qytetarët shqiptarë do të ndajnë të njëjtat mendime me mua”.

(d.b/KHaxhiaj/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›