E Shtunë, 31 Tetor 2026

6 projektet për ndryshimin e sheshit “Skënderbej”



Emanuela Sako

Gjashtë studiot ndërkombëtare që konkurrojnë për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, kanë paraqitur projekt-idetë përpara jurisë. Dje çdo studio ka pasur në dispozicion 30 minuta për të bërë prezantimin, ndërsa 20 minuta të tjera kanë qenë pyetje dhe përgjigje. Ndërkohë që 11 anëtarët e jurisë kanë ndjekur projektet e të gjithë konkurrentëve. Kryetari i Bashkisë, Edi rama, njëkohësisht dhe anëtar i jurisë, është shprehur se rehabilitimi i këtij sheshi është sfidë për çdo arkitekt, nisur nga ndryshimet e mëdha që ka pësuar në vite. Në përzgjedhjen e projektit, përveç jurisë, do të marrin pjesë në vendimmarrje edhe qytetarët e Tiranës, të cilët do të japin vlerësimin e tyre për ndryshimin që do të pësojë sheshi në qendër të qytetit. Në këtë diskutim të hapur kanë marrë pjesë përfaqësues të politikës, arkitektë, studentë të akademisë së arteve dhe arkitekturës etj.
Gazeta “Albania” po publikon në numrin e sotëm gjashtë propozime për ndryshimet e sheshit. Ndërsa sot pritet qw tw shpallet studioja fituese. Studiot e përzgjedhura janë 51N4E, studio arkitektonike e krijuar në vitin 2000, me qendër në Bruksel, MVRDV është një studio holandeze me një listë të gjatë projektimesh në mbarë botën dhe MAP Architects Barcelona është një studio e cila drejtohet nga arkitekti i njohur Josep Lluis Mateo, i nderuar gjatë karrierës së tij me shumë çmime prestigjioze. Po kështu janë edhe tre studio të tjera të njohura me një eksperiencë të madhe me disa projekte botërore. Një ndër to është edhe AS.Architecture, që është studio franceze me qendër në Paris, e krijuar në vitin 1973 dhe e përbërë nga 80 urbanistë e arkitektë nga vende të ndryshme. Një tjetër studio është, Daniel Libeskind Studio, e krijuar në vitin 1989 në Berlin, si dhe ATENA Studio me qendrën e saj në Romë dhe me eksperiencë në fushën kërkimore, projektuese të arkitekturës dhe projektimit urban. Projektet e paraqitura nga 6 studiot ndërkombëtare kanë pasur larmi ndryshimesh për kryeqytetin.

MRPDV
Studioja Holandeze MRPDV në paraqitjen e projektit të saj, ka propozuar se nuk do të preken ndërtesat ekzistuese. Ndërkohë që projekti synon shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta në rikonstrukturimin e sheshit, duke u lidhur me njëra tjetrën. Njëkohësisht, arkitektët propozuan që të ulet monumenti i Skëndërbeut në mënyrë që të jetë i prekshëm nga të gjithë njerëzit, ndërsa anash monumentit të vendosen 6 statuja bronzi.

Daniel Libenskid
Sipas kësaj studioje, sheshi do të ketë formë rrethi, ku nuk do të preken ndërtesat ekzistuese. E veçanta e këtij projekti është se do të ketë një harmonizim midis të tradicionales dhe modernes. Ndërsa një pjesë e aktiviteteve do të mund të zhvillohen nëntokë, siç janë parkingjet. Projekti synon shtimin e hapësirave të gjelbërta, të cilat mund të funksionojnë edhe më vete, sicc janë vendet e lojërave për fëmijë.

MAP architects
Nw projektin e saj për sheshin kryesor të Tiranës, propozon
ndërtimin e një ndërtese të re trekatëshe midis bankës së Shqipërisë dhe Muzeut kombëtar, rigjenerimin e kopshteve pas muzeut, dhe thyerjen e hapësirave të gjelbërta që u ngjajnë kopshteve mbretërore. Njëkohësisht, ky projekt synon ndërhyrjen në trotuaret e të gjitha ndërtesave duke i bërë ata të pjerrëta dhe funksionale. Po kështu, në projekt parashikohet krijimi i një kopshti trëndafilash dhe ndriçim në formë merimange gjatë natës.

51N4E
Në prezantimin e projektit për rigjallërimin e sheshit “Skënderbej” propozoi se do të bëjnë rigjenerimin e operas për perfeksionimin e pamjes së sheshit “Skëndërbej”. Sheshi do të mbushet me pemë, palma dhe brezi i pemëve që do rrethojë sheshin do të jetë i ngjeshur. Ata propozojnë që sheshi të vijë duke u ngritur me rreth 3% dhe në mes të arrijë në 1.5 m më i lartë se te qoshja. Në këtë projekt përfshihet edhe ngritja e një ndërtesë 5-katëshe me dhoma të ngushta, në mënyrë që gjithë njerëzit që shkojnë në Bashkinë e Tiranës të kalojnë nga këto dhoma, të cilat ofrojnë një pamje të plotë të sheshit.

Architecture studio
Shtimi i gjelbërimit të sheshit, ka qenë i pranishëm edhe në projektin e Architecture studio. Theksi kryesor iu vu ndriçimit gjelbërimit, ku të mbillen pemë pishe ngado, duke filluar
nga rruga e Durrësit. Po kështu, projekti synon vënien në dukje të xhamisë dhe kullës së re që do të ndërtohet. Objektet do të shërbejnë si fenerë që ndriçojnë gjatë natës. Ndërsa sasia e ujit të pellgjeve mund të ndryshojë sipas dëshirës, por mund të ndryshojë edhe formën herë shatërvanë e herë pellgje uji.

Atena studio
Ata propozojnë një strukturë që do lidhë gjithë sheshin. Kështu, sipas projektit sheshi do të ketë si funksione publike dhe private. Sheshi do të ngrihet në disa nivele, të gjelbërta si dhe pamja dhe funksioni i tij do të ndryshojë në varësi të stinëve. p.sh në verë mund të bësh plazh dhe në dimër patinazh.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›