E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sereno dhe Valerina, dy ilaçet bimor që luftojnë pagjumësinë



Të shtrihesh dhe të kesh një “gjumë të ëmbël” siç është edhe urimi përkatës, për miliona vetë në botë, është një sfidë më vete. Për disa, nocioni i gjumit është shndërruar në imazhin e një beteje të përnatshme me nënkresën, me çarçafët, me ëndrrat e zhgjëndrrat dhe gjithçka që të pengon, ose ti mendon se të pengon të bësh një gjumë të qetë. Sipas statistikave të fundit evropiane, në kontinentin tonë një në katër persona vuan nga pagjumësia kronike. Shkencëtarët kanë përcaktuar 75 forma të ndryshme pagjumësie duke filluar që me problemet e gërhitjes, te dhimbja e këmbëve, ngërçet e spazmat e shumta e në pjesë të ndryshme të trupit, të folurit në gjumë, somnambulizmi, i cili ndonjëherë kthehet edhe në rrezik shumë të madh për personin që e ka, e deri tek aritmitë dhe çrregullimet e zemrës. Rreth 31 për qind e njerëzve, përfshi fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë më shumë se një çrregullim të tillë në të njëjtën kohë dhe për më tepër mund ta kenë edhe për shumë net rresht, pra në formë kronike.
Veprimtaria ditore
Sipas një specialisti të gjumit, një gjumë i parehatshëm e me shumë probleme ndikon edhe në veprimtarinë ditore të personave, të cilët mund të kenë rënie të efektshmërisë në punë, por edhe probleme ndërpersonale. Pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë gjumë të mirë nuk e dinë se gjithsesi, mund të ketë ndonjë mjekim për problemin që kanë dhe si pasojë nuk kërkojnë ndihmë. “Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se bëhet fjalë për një patologji të mirëfilltë dhe se si çdo patologji edhe ajo ka nevojë për identifikim dhe kurat e përshtatshme”,- thotë një mjek. Të paktën në perëndim, por edhe në vende të tjera ka medikamente që mund të lehtësojnë shumë një situatë shqetësuese e me pasoja në jetën e përditshme. Në fakt, në disa raste, bëhet fjalë për mjekime të mirëfillta, ndërsa në raste të tjera për ndryshimin e disa zakoneve apo mënyrave të jetesës, të cilat do të sillnin ndryshime të habitshme.
Dietat
Gjumi ndikohet nga sinjalet kimike në tru. Kjo do të thotë që ushqime të caktuara mund të ndikojnë pozitivisht, ose negativisht në gjumin tonë. Pijet që përmbajnë kafeinë, të tilla si kafja dhe ilaçet që e kanë si element, mund të ndikojnë në frenimin e gjumit. Për ta shmangur një gjë të tillë kafeina dhe alkooli duhen shmangur absolutisht. Ndikim të keq kanë edhe disa ushqime që përmbajnë tryptophan. Ushqimi i duhur për t‘i paraprirë një gjumi të mirë përmban një balancë mes karbohidrateve dhe proteinave. Pra, një darkë e tillë do të ishte për shembull drithërat me qumësht. Sipas një kërkimi të fundit, ushqimet e pasura me karbohidrate dhe me mungesë proteinash dhe yndyrash mund të shtojnë prodhimin e serotodinës dhe melatoninës, kimikate të trurit, të cilat kanë lidhje me gjumin. Një darkë me karbohidrate dhe qumësht, para gjumit ndihmon në fjetjen e shëndetshme.
Alkooli dhe duhani
Personat që kanë çrregullime frymëmarrjeje, ndërsa flenë dhe gërhasin në mënyrë të ekzagjeruar duhet të shmangin alkoolin, duhanin dhe tabletat e gjumit. Në këtë rast do të ishte me vlerë përdorimi i shtesave në hekur që do të rriste lëvizshmërinë e gjymtyrëve. Një nga gjërat kryesore që duhet pasur parasysh, është shmangia e duhanit. Duhanpirësit e mëdhenj, zakonisht kanë një gumë shumë të lehtë dhe kanë tendencë që të çohen vetëm pas disa orësh gjumë, për ta vazhduar atë pas një pauze relativisht të gjatë, e cila zakonisht nis në një orë të caktuar të natës. Gjatë këtij zgjimi zakonisht pinë sërish duhan dhe vetëm atëherë mund të gjejnë paqen e duhur për të çuar natën deri në fund.
Banja e nxehtë
Një “zhytje” në ujin e nxehtë të dushit në darkë, mund të jetë një ndihmë e mirë për çrregullimet e gjumi, pasi ka efekt qetësues. Sipas specialistëve, ajo mund ta reduktojë pagjumësinë në nivelin 20 për qind.
Terapia e dritës së shndritshme
Përdoret për trajtimin e çrregullimeve kardiake, të cilat zakonisht vihen re të rënda gjatë orëve të gjumit. Sipas kësaj terapie, ekspozimi në dritë të shndritshme para gjumit ndihmon në stimulimin e zemrës dhe rivendosjen e ritmit të saj në normalitet. Për këtë duhet një ekspozim në një dritë shumë të fortë dhe për një kohë që mund të shkojë në një ose dy orë. Kjo ndodh edhe kur ndodhemi në plazh nën diellin e fortë të verës. Në këto kohë pushimesh kemi zakonisht gjumë më të mirë dhe një nga shkaqet është pikërisht ekspozimi në një dritë të fortë.
Ilaçet
Dy ilaçe bimor tepër të efektshëm kundër pagjumësisë janë ai i quajtur Sereno me lulen e Magnolias dhe Valerina. Këto ilaçe gjenden në formë kapsulash ose çaji dhe janë të pasur me lëndë të tjera ushqyese për të cilat truri ka nevojë për të pasur një gjumë të qetë. Megjithëse ka një erë jo të këndshme çaji i përgatitur me pluhurin e valerianës ka dhënë efekte mjaft pozitive për të luftuar pagjumësinë. Falë përbërjes së tyre këta dy ilaçe bimor sjellin qetësi dhe sigurojnë një gjumë natyral. Ilaçet kundër parkinsonit dhe antikonvulsantët të çlodhin këmbët. Disa mjekime të tilla përdoren edhe për të ndihmuar fjetjen, sepse janë relaksuese dhe qetësuese, edhe pse kanë një efekt dytësor si dhimbja e kokës.
Ushtrimet fizike
Ushtrimet e përditshme mund të ndihmojnë gjithashtu në mbarëvajtjen e gjumit, por nuk këshillohen sforcimet e jashtëzakonshme në periudhën tre orë para fjetjes. Ato duhen bërë të paktën pesë orë para gjumit. Zakonisht rekomandohen shëtitjet, vrapimet e alternuara në natyrë, ushtrimet aerobike, të cilat lodhin trupin në masë të tillë që ai të dojë një prehje në orët e natës.
Përgatiti: Jonida Tashi

Të rejat nga shkenca. Fjetja në punë përmirëson kujtesën

Fjetja në vendin e punës vetëm për disa minuta mund të përmirësojë aftësitë e kujtesës dhe ato mentale, kanë publikuar shkencëtarët gjermanë. Doktori Olaf Lahl nga universiteti në Duisburg ka dëshmuar se gjumi afatshkurtër bën punë shumë më shumë sesa çlodhja e gjatë e trurit. Për më shumë, gjumi prej vetëm gjashtë minutash mund të ketë të njëjtin efekt në kujtesë sikur gjumi gjatë tërë natës. Ekipi i doktorit Lahl u ka dhënë detyrë studentëve të mbajnë mend listën prej 30 fjalësh dhe ka testuar kujtesën e tyre pas një orë lojë në solitare (loje kompjuterike me letra). Shkencëtarët kanë përcaktuar se ata, të cilët kanë fjetur disa minuta, më mirë e kanë kryer detyrën sesa ata që kanë qëndruar të zgjuar.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›