Agjencia e Pronave shpërndan sot fondin prej 1.2 miliardë lekësh për 521 aplikuesit
Eljona Ballhysa
Agjencia e Pronave do të shpërndajë sot fondin prej 1.2 miliardë lekësh për vitin 2009, për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Lajmi është bërë i ditur për gazetën nga drejtori i AKKP-së, Elvis Çefa. Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave, në një konferencë për shtyp, do të prezantojë listën e pronarëve që përfitojnë nga fondi 1.2 miliardë lekë që është parashikuar nga qeveria për vitin 2009. Për të përfituar nga fondi kanë aplikuar 521 ish-pronarë. Shpërndarja e këtij fondi do të bëhet në bazë të Vendimit të qeverisë Nr. 487, datë 6.5.2009 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2009”.
Vendimi
Ky vendim parashikon që ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur e gjitha për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar: nga kompensimet e mëparshme; kthim fizik të pjesshëm të pronës me çdo vendim për atë subjekt; nga e drejta e parablerjes, në dhe në rast se nuk kanë përfituar tokë bujqësore në bazë të Ligjit 7501. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Kompensimi financiar bëhet vetëm për deri 200 (dyqind) m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.
Verifikimet
Në bazë të këtij vendimi, zyra e AKKP-së në qendër dhe zyrat rajonale, në bazë të vendimit të qeverisë, gjatë kësaj periudhe kanë shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur nga ish-pronarët që kërkojnë kompensim në të holla. Zyrat rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave kanë verifikuar dosjet dhe vendimet përkatës, të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose AKKP-ja, si dhe vendimet e tjera për çdo subjekt të shpronësuar. Agjencitë rajonale kërkojnë nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 ditëve, të konfirmojnë vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZVRPP, si dhe verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës, apo verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit të së drejtës së parablerjes. Zyra e AKKP-së në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale, përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit, harton relacionin përkatës, merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar, i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore si dhe shpall listën e subjekteve fituese. Më pas ajo kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë.
14 Nentor 2009