Berisha: “Do të amendojmë ligjin e 1994-s, qeveria do të shesë toka publike me ankand”
Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e qeverisë nismën më të fundit për krijimin e fondit të kompensimit të ish-pronarëve. Sipas Berishës, qeveria do të amendojë së shpejti ligjin e vitit 1994, duke i krijuar mundësi Ekzekutivit që të shesë toka publike me ankand duke rritur vlerën për metër katror të këtyre tokave për ndërtuesit. Sipas kryeministrit Berisha, kjo i nevojitet qeverisë për të siguruar të ardhura shtesë, për t’i çuar me pas në fondin e kompensimit të pronareve. “Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe parimet programatike të qëndrimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. Kjo është një faturë shumë e madhe, e cila ka dinamizmin e saj nga viti në vit, sepse i tillë është dinamizmi i vlerës së tregut”, - u shpreh kryeministri. Berisha e konsideroi këtë hap një detyrim kushtetues dhe moral të maxhorancës ndaj pronarëve, të cilëve në mënyrën më të padrejtë e më klasore u shpronësuan. “Me këtë ligj hapen shtigje dhe mundësi të reja për fondin e kompensimit të pronarëve, qoftë fizik apo qoftë monetar”. Për krijimin e fondit monetar të kompensimit, Berisha bëri të ditur se do të përdoren edhe të ardhurat nga privatizimet dhe ankandet e aseteve shtetërore. Në funksion të krijimit të këtij fondi, kryeministri kërkoi mendimin e ligjit të vitit 1994, që i ndalon qeverisë të shesë toka publike. Kryeministri e vlerësoi një veprim shumë të drejtë, që krahas ligjit, sipas të cilit 20 për qind e privatizimeve do të shkojë për kompensimin e pronarëve, miratohet edhe ky projektligj.
Qeveria, fond prej 7.5 milionë lekësh për zgjedhjet e pjesshme lokale
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme fondin prej 7.5 milionë lekësh për administrimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 15 nëntorit. “Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e përdorimit të një fondi prej 7 500 000 (shtatë milionë pesëqind mijë) lekësh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për financimin e zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor, që do të zhvillohen më 15 nëntor 2009, i cili të përdoret si më poshtë vijon: 3 417 000 lekë për paga e sigurime shoqërore e shëndetësore; 4 083 000 lekë për mallra e shërbime. Ky fond të përballohet nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ngarkohen ministri i Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi”, parashikohet në vendimin e qeverisë.
14 Nentor 2009