Agjencia e të Dhënave e shqetësuar për privatësinë

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shprehu sot shqetësimin e saj me rastin e publikimit të kundërligjshëm të audio incizimeve të disa zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, përfshirë këtu edhe kryeministrin.
Me rastin e publikimit të përgjimeve të tilla, kjo agjenci ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e këtij rasti, i cili atakon direkt privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të zyrtarëve të cilët janë objekt i këtij përgjimi, thuhet në një njoftim për opinion të kësaj agjencie.
“Në këtë rast, pas konsultimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave mbi bazën e të cilave supozohet të ketë ndodhur përgjimi, ASHMDHP, duke u bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, respektivisht nenit 3 dhe nenit 14 të po këtij ligji, ku me këtë rast nuk janë siguruar masat e nevojshme të sigurisë gjatë përpunimit të të dhënave personale nga institucioni prej ku kanë dalë këto audio incizime, ku me këtë rast apostrofohet EULEX-i.
Agjencia konsideron se me këtë rast është shkelur neni 36 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku garantohet e drejta e privatësisë që çdo kush e gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private.
Agjencia konstaton se me rastin e publikimit të paautorizuar të të dhënave janë cenuar të drejtat themelore të individit për privatësi. Andaj me këtë rast konfirmojmë se në bazë të kompetencave ligjore jemi në procedurë të ndërmarrjes së të gjitha veprimeve ligjore, në lidhje me rastin në fjalë”, thuhet nëm fund të kësaj komunikate për opinion, lëshuar nga Departamenti i saj për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe me Publikun./Indeksonline/