E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët: Greqia, në një situatë shumë të vështirë

Specialistët e trojkës e konsiderojnë shtetin helen në udhëkryq. Sipas tyre, edhe kur gjen rrugëdalje, Greqia bën dy hapa para dhe një pas. Specialistët e trojkës, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Athinë për të bërë vlerësimin e zbatimit të reformave dhe masave anti-krizë, në mënyrë që të aprovojnë ose jo këstin e gjashtë të ndihmës ndaj Greqisë, mendojnë se Greqia ndodhet në një situatë shumë të vështirë.

Ata gjykojnë se masat e planit të shpëtimit mund të dështojnë nëse nuk zbatohen reformat strukturore. Duke i vënë theksin jo vetëm formulimit të ligjeve, por edhe zbatimit të tyre që merr mjaft kohë, ata thonë se shpeshherë nuk ekzistojnë strukturat e nevojshme, sidomos në vjeljen e taksave apo detyrimeve financiare të prapambetura.

Shembulli më i qartë është skandal i ri me pensionet false të Entit të Sigurimeve Shoqërore (IKA), ku shteti ka humbur mbi 15 miliard euro në Kriza Financiare

Ka rezultuar se pas regjistrimit të të gjithë pensionistëve 109 000 vetë nuk ekzistojnë, ndërsa pensionet i përfitonin të afërmit e tyre dhe ende nuk dihet se si do të procedohet për kthimin e shumave të dhëna. Në të njëjtën kohë nuk dihet edhe fakti se si do të veprohet me depozitat e grekëve në Zvicër, ku konsiderohet se ndodhen mbi 20 miliardë euro kapitale të padeklaruara tek organi i tatim-taksave. Shteti nuk ka krijuar akoma një nomenklaturë përkatëse për t’u marrë këtyre personave që kanë kryer në thelb evazion fiskal, tatimin përkatës, për arsye se depozitat në shumicën e rasteve nuk janë me emrat e tyre, por të kompanive off-shore. Mediat vendase shkruajnë se ata që po paguajnë realisht krizën janë rrogëtarët dhe pensionistët. Brenda një viti e gjysmë në kuadrin e masave financiare, qytetarët grekë kanë paguar me reduktimet e të ardhurave dhe taksat e reja mbi 31 miliard euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›