E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencite prestigjoze nderkombetare vleresojne te qendrueshme ekonomine

Agjencia tjetër e vlerësimit të kreditit të koorporatave dhe vendeve sovrane, “Moody’s”, ka vlerësuar së fundmi Shqipërinë me gradën “B1” duke vlerësuar një pritshmëri të qëndrueshme për të ardhmen e ekonomisë dhe financave publike. Kështu, në më pak se një javë nga vlerësimi i mëparshëm i “Standard & Poor’s” vjen vlerësimi i dytë nga “Moody’s”, duke qëndruar në të njëjtin opinion.  Sipas një reagimi të Ministrisë së Financave, kjo është një dëshmi e kredibilitetit të ekonomisë shqiptare në një kohë kur e gjithë Europa dhe rajoni përjetojnë goditjet e krizes financiare dhe te borxheve sovrane. 
Sipas dikasterit të Financave, një vlerësim i tillë përçon sinjale pozitive dhe është testi më i mirë për stabilitetin makroekonomik, politikat dhe reformat ekonomike në mbështetje te biznesit, përmirësimit të mjedisit fiskal dhe vazhdimësisë së reformave në vend. Sipas “Moody’s” megjithëse qeveria ka adresuar dukshëm problemet strukturore,  fuqizimi i institucioneve do të bënte që vlerësimi për Shqipërinë të rritej menjëherë. Agjencia nënvizon se është bërë progres, ndërkohe që orientimi dhe marrja e statusit të vendit kandidat do të ishte një sinjal pozitiv i dobishëm për vlerësimin e kreditit gjithashtu.
Sipas “Moody’s”, sistemi gjyqësor i përmirësuar dhe eficenca e tij do të përbënte një shtysë për investimet e huaja, dhe si rrjedhim pozicion më të mirë tregtar e makroekonomik të vendit. Ankorimi i politikave të qeverisë drejt integrimit evropian ka qenë dhe mbetet orientimi më efikas në qëndrueshmërinë ekonomike, ndaj vazhdimësia do të gjeneroje gjithnjë vlerësime pozitive në të ardhmen. “Moody’s” thekson se zhvillimet politike dhe institucionale do të japin ndikimin e tyre në shpejtësinë e implementimit të reformave, nxitjes së zhvillimit të shpejtë të ekonomisë e treguesve kryesore të saj. Këto tregues si gjithmonë do të jenë subjekt vlerësimi nga “Moody’s” dhe agjencitë e tjera. Këto vlerësime janë baza mbi të cilat investitorët shohin perspektivën ekonomike të vendit në alokimin e kapitalit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›