Berisha Ndertimi i Koridorrit 8 me rendesi per shkembimet tregtare
Kryeministri Berisha ka marre pjesë në takimin e nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zit e mbajtur në Stamboll në 20 vjetorin e krijimit të kësaj organizate që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve anëtare. Kryeministri Berisha, si i vetmi nga liderët themelues të kësaj nisme, i pranishëm në takim, vlerësoi vizionin e ish-presidentit turk, Turgut Özal dhe Kryeministrit Suleyman Demirel që themeluan këtë iniciativë.
“Kemi ardhur sot, në këtë samit, për të festuar 20 vjetorin e BSEC dhe gjëja e parë që më vjen në mend është të nderoj vizionarin e madh, burrin e shtetit Presidentin Turgut Özal dhe ish Kryeministrin Suleyman Demirel, të cilët në një periudhë të veçantë themeluan këtë iniciativë. Kur hedhim vështrimin mbrapa, 20 vjet më parë, rajoni jonë ishte një ndër më të shkatërruarit nga diktaturat, konfliktet dhe më i vuajtur. Sot rajoni ynë është 20 herë ndryshe. Ndaj kemi shumë arsye për të qenë krenarë në këtë përvjetor. Shumë nga vendet tona i janë bashkuar NATO-s dhe BE-së”, vuri në dukje Berisha, gjatë fjalës së tij.
Kryeministri Berisha vlerësoi rajonin e Detit të Zi si një nga rajonet më strategjikë në botë me disa nga ekonomitë me rritjen më të madhe në kushtet e krizës së përgjithshme .
“Sot, në këtë 20 vjetor, unë besoj se ne kemi arsye të shohim për një horizont të ri, sepse ky rajon është një nga rajonet më strategjikë në botë, është rajon që lidh kontinentet më të mëdha, tregjet më të mëdha në botë dhe civilizimet më të zhvilluara botërore. Ndaj vendet tona dhe BESC besoj se duhet të ecin përpara të përmirësojnë më shpejt dhe më tej infrastrukturat që lidhin vendet tona me njëri-tjetrin. Pavarësisht progresit, rajoni ka nevojë për një infrastrukturë të përshtatshme. Ekzistojnë disa iniciativa të rëndësishme në këtë drejtim. Unë përshëndes qeverinë e Azerbajxhanit për projektet tepër të rëndësishme rajonale për naftën dhe gazin. Duhet të mbajmë parasysh se rruga më e vjetër që lidhte kontinentet kalonte përmes këtij rajoni, rruga Egnatia, rruga e mëndafshit. Ka një debat të gjatë për korridorin 8-të, i cili është një mijë kilometra dhe që besoj se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të rrugës së mëndafshit. Janë më pak se 150 kilometra të këtij Korridori që mungojnë midis Bullgarisë e Maqedoni dhe Maqedonisë e Shqipërisë dhe tregtia do të kalojë nga Tiranë në Pekin”, vlerësoi, Kryeministri, sa i takon një çështje të tillë. .
Kryeministri Berisha tha se Shqipëria si një vend që i përmbahet angazhimeve të saj po punon fuqimisht për të ndërtuar pjesën e saj të Korridorit 8 si dhe për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë, projekte të rëndësishme këto në shërbim të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe Detit të Zi. Po ashtu duke folur për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe e stabilitet në rajon.