E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Franca konfirmon mbështetje të plotë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve

Ministri i Jashtëm francez, Kushner i ka deklaruar homologut shqiptar Meta, se do mbështesë pa kushte vendimin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë


Franca tregohet gatshme të mbështesë propozimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe gjithashtu edhe procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe të të gjithë rajonit. Kjo u konfirmua gjatë takimit që zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi sot me homologun e tij francez, Bernard Kushner, në Paris. “Pozicioni i Francës është shumë i thjeshtë, tepër i qartë: ne dëshirojmë që i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe Shqipëria në veçanti, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Patjetër që do duhet pak kohë, do jetë proces i ndryshëm në varësi të vendeve, ne do bëjmë përshtatjet e duhura, dhe Franca e mbështet këtë në mënyrë konkrete dhe konstante”- tha kryediplomati francez. Nga ana e tij, ministri Meta e njohu homologun e tij francez Kushner me përpjekjet e Qeverisë për të përmbyllur së shpejti tre çështjet në ndjekje, nga udhërrëfyesi i vizave. “E informova ministrin mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe në rajon dhe nënvizova përkushtimin e Qeverisë shqiptare për të vazhduar me reformat e brendshme, të cilat do t’a ndihmojnë vendin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, si dhe për të përmbyllur tre çështjet e mbetura për të realizuar liberalizimin e vizave sa më shpejt”- tha ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Sa i takon situatës politike, dy ministrat theksuan se çdo problem duhet zgjidhur përmes dialogut konstruktiv, rrugës institucionale, në respekt të plotë të Kushtetutës dhe institucioneve të pavarura të vendit. “Folëm gjithashtu rreth përmirësimit të situatës politike në vend, sepse ne jemi duke u përgatitur për të përftuar statusin e kandidatit, dhe për këtë rivendosja e një dialogu efikas politik është e rëndësishme, veçanërisht për të mbështetur vazhdimin e reformave në vend”- deklaroi kryediplomati shqiptar. Në kuadër të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, së shpejti do të organizohet një forum i përbashkët ekonomik. Gjatë takimit, dy ministrat folën dhe për situatën në rajon, në vijim të takimit të Nivelit të Lartë të Sarajevës, ku u theksua roli konstruktiv i Shqipërisë në shërbim të stabilitetit dhe prosperitetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›