E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa, për të "larë mëkatet" e turpit në Evropë

 

Leonard Karaj

Deklarata, polemika por edhe thumbime. Vlonjatët e Tiranës betohen se do të bëhen më tiranas pasditen e sotme, ndërsa ata të Vlorës premtojnë se do të mundohen t'u prishin festën me të gjitha mënyrat. Nga njëra anë është Tirana e cila mezi pret të hakmerret për atë finale kupe të humbur në sekondat e fundit, ndërsa nga ana tjetër është Flamurtari, i cili shpreson në rikonfirmimin e vet. Që të dyja skuadrat e duan me ngulm këtë trofe. Jo se është me vlerë të madhe monetare, aspak. Por se shihet si ogur i mirë për fillim-sezonin dhe si "larës i mëkateve" pas dështimit dhe turpërimit në Kupat e Evropës. Në pak fjalë është një finale superkupe krejt ndryshe. Më shumë se çfarëdo që të dyja skuadrat duan të harrojnë ato humbje shokuese në Kupët e Evropës. Ndaj fitorja e Superkupës do të ishte edhe si një lloj shpagimi për çka këto skuadra u kritikuan më së shumti gjatë këtyre dy muajve. Tirana pas një barazimi të mefshtë në kryeqytet 1-1 me Satbaek, u mund 4-0 në Norvegji duke treguar edhe një nivel shumë të dobët loje. Ndërsa Flamurtari shkoi edhe më keq. Pas një fitoreje minimale por me goxha shpresë në pamje të parë, të arritur në Vlorë ndaj Motheruell, humbën 8-1 në Skoci duke rregjistruar edhe rezultatin më të thellë që një skuadër shqiptare ka pësuar në Kupat e Evropës. Pikërisht ky rezultat pritet që të anashkalohet disi nëse ekipi i Memushit do të arrijë të thyejë parashikimet që japin Tiranën si fituese të Superkupës. Tirana vjen disi e cunguar në këtë finale pasi nuk do të ketë në dispozicion disa futbollistë të formacionit titullar si Muzaka, Malindi, por edhe Memelli. Kjo i ka dhënë dorë të lirë Mukës dhe Arbër Abilalaijt që të marrin me hir a me pahir frenat e sulmit bardheblu. Flamurtari nga dje ka në dispozicion sërish Franc Veliun i rikthyer nga testi në Skoci te Sëlltiku.

Ndeshjet e Superkupës

1989 Dinamo-Tirana 2-0
1990 Flamurtari-Dinamo 3-3 (5-4 p)
1991 Flamurtari-Partizani 1-0
1992 Elbasani-Vllaznia 3-2 (pas kohës shtesë)
1993 Nuk u dha. Partizani, fitues i dyfishtë: Kampionat
e Kupë
1994 Tirana-Teuta 1-0
1995 Nuk u zhvillua
1996 Nuk u dha: Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat
e Kupë
1997 Nuk u zhvillua
1998 Vllaznia-Apolonia 1-1 (5-4 p)
1999 Nuk u dha. Tirana ishte fitues i dyfishtë: Kampionat
e Kupë
2000 Tirana-Teuta 1-0
2001 Vllaznia-Tirana 2-1
2002 Tirana-Dinamo 6-0
2003 Tirana-Dinamo 3-0
2004 Partizani-Tirana 2-0
2005 Tirana-Teuta 0-0 (5-4 p)
2006 Elbasani-Tirana 0-2
2007 Tirana-Besa 4-2
2008 Dinamo-Vllaznia 2-0
Fituesit: Tirana 7 herë; Vllaznia, Flamurtari e Dinamo 2 herë; Elbasani dhe Partizani nga 1 herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›