Basti i mediave: “Cana, ylli i Sanderlendit në Premier Ligë”
“Cana mund të bëhet ylli i Sandërlendit në Premier Ligë”. Ky është titulli i gazetës britanike “The Shields Gazzete”. Sipas saj, mesfushori i fuqishëm shqiptar Lorik Cana, duket se ka “sjellë muskuj e tru” në fushatën e Sandërlendit, skuadrës që merr pjesë në Premier Ligën angleze. Kapiteni i Shqipërisë u transferua në shumën e 6 milionë eurove nga Marseja te “Macet e zeza”, teksa bosi i skuadrës, Stiv Brus, e lavdëroi mesfushorin duke e cilësuar si një lider natyral. Shumë fansa të klubit të tij të ri kanë parë videoklipet e tij në Youtube, me paraqitje pa kompromis ndaj kundërshtarëve, por ai (Loriku) nuk dëshiron të shfaqet vetëm me imazhin e një lojtari vetëm si një njëri i fuqishëm. “Po, unë jam i fuqishëm dhe mund të luft0j, kjo është një pjesë e rëndësishme e lojës sime, por unë jam gjithashtu një lojtar taktik, dhe ju nuk mund të luani në Premier Ligë pa këtë”, - citohet Cana nga gazeta britanike. Loriku luajti ndeshjen e parë në miqësoren kundër Sëlltikut (2-1) dhe trajneri e pa atë si një kapiten të vërtetë për sezonin e ri. “Ndihem plotësisht gati dhe dëshiroj të përmirësohem akoma. Jam i nderuar të jem kapiteni i Sandërlendit, por unë nuk kam folur deri tani me trajnerin për këtë. Do të ishte me mirë që të ishte dikush tjetër, i cili e njeh klubin dhe lojtarët më mirë, por është vendimi i trajnerit. Unë do të përpiqem të jem kapiten në pozicionin tim”, - tha Cana.
“Shumë nga lojtarët më të mirë në botë janë në Angli dhe unë dua të tregoj nivelin tim kundër tyre. Gjatë gjithë jetës sime, kam dëshiruar të luaja në Angli. Është një kampionat që të gjithë e njohin në botë, është më i famshmi dhe më popullori. Nëse unë do të jem i suksesshëm këtu atëherë do të jetë një arritje e madhe. Sigurisht, unë mendoj se do të luaj mirë, përndryshe nuk do të dëshiroja të vija këtu”, - tha Cana. Loriku tha se ai zgjodhi Sandërlendin dhe jo Evertonin pasi “Macet e zeza” treguan më shumë dëshirë për rekrutimin e tij. Ish-kapiteni i Marsejës ishte në bisedime si me Evertonin ashtu me me klubet gjermane të Hamburgut e Verder Bremenin, por Brus u tregua më i shpejtë për të “mbërthyer” 26-vjeçarin: “Evertoni më njihte shumë mirë. Ishte i interesuar për mua prej vitesh, por unë isha në kontakte me shumë klube në Angli dhe e dija se ky ishte kampionatin më i bukur në botë. Sandërlendi dëshironte t’i bënte gjërat shpejt e shpejt dhe unë pata një ndjenjë të mirë nga bisedimet me Stiv Brus”.
15 Gusht 2009