Lorik Cana: Do çoj Sanderlend në Shqipëri për miqësore
Sapo ka zbritur në Premier League dhe dëshiron që ti japë këtij kampionati më shumë se eksperiencën e tij. Lorik Cana dëshiron të tregojë Shqipërinë e suksesshme, atë që sipas tij shumë evropianë nuk e njohin ende. "Shqipëria është një vend i vogël por me njerëz të mrekullueshëm. Fatkeqësisht shumë njerëz nuk dinë shumë për Shqipërinë, madje kur mendojnë për atë nuk supozojnë ende se kanë të bëjnë me një vend evropian", ka thënë Cana në një intervistë për mediat angleze. Më tej Loriku ka treguar edhe sesi do të influencojë në publik për të ngritur imazhin e Shqipërisë. "Thuhen shumë gjëra për Shqipërinë por shumica prej tyre nuk janë aspak të vërteta. Unë jam këtu për t’i dhënë botës një pjesë tjetër të këtij vendi. Ne nuk kemi shumë lojtarë që luajnë në ligat elitare në Evropë. Por kam përshtypjen se kjo gjë do të ndryshojë shpejt. Kur një futbollist si unë arrin një lloj niveli të mirë në kampionatet e huaja, kjo është një gjë pozitive edhe për vendin e origjinës", ka thënë Cana. Ndërsa përsa i përket Sanderlendit ai ka pohuar s enjë ditë do të iniciojë një miqësore mes kësaj skuadre dhe kombëtares shqiptare. "Fola gjatë me njerëzit e mi në Shqipëri dhe ju siguroj se tashmë Sanderlendi ka 5 milionë fansa më shumë se vitin e kaluar. Më besoni i gjithë vendi do të ndjekë ndeshjet e Sanderlendit tani. Mbase një ditë do të mund të shkoj në Shqipëri dhe të luaj me skuadrën time, Sanderlend ndaj kombëtares shqiptare. Mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë edhe për këtë klub", ka përfunduar Cana.