E Diel, 1 Nëntor 2026

Tare: “Kurorëzuam një vit fantastik”



Lacio pas fitores së Kupës së Italisë kundër Sampdorias (majin e kaluar) dhe Superkupës së Italisë kundër kampionëve të Serisë A, Interit, takim i zhvilluar në Pekin (javën e kaluar), është e gjitha në festë. Para ndeshjes miqësore me Osasunën skuadra bardhekaltër zhvilloi një xhiro nderi përpara tifozerisë së saj që kishte pushtuar “Olimpikon”. Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, e shijoi plotësisht atë. “Ishte një mbrëmje e bukur. Bëmë një vit fantastik të cilin e kurorëzuam me Superkupën, shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë. Kjo është një skuadër që mund të bëjë shumë mirë, jemi të bindur se edhe sezonin e ardhshëm do të jemi midis 5-6 skuadrave të parë në Itali”

Kavilja nxjerr blof Mavrajn

Mbrojtësi i talentuar kosovar, Mërgim Mavraj, do të mungojë në derbin midis Bokumit të tij dhe Shalke 04. Mavraj, i cili më parë ka qenë i preferuari i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, vuan prej disa ditësh nga dëmtimi në kavilje. “Ai ka tri ditë që nuk stërvitet. Ne do t’i japim atij një pushime, kavilja e tij e dëmtuar ka së pari nevojë për pushim”, - tha trajneri i Bokumit, Marsel Koler, i cili nuk sqaroi sesa gjatë do të qëndronte Mavraj larg fushë.

Derbi i munguar

Java e dytë e Bundesligës 1 gjermane ofron një derbi “shqiptar”, por bankinash. Hanover96 i Altin Lalës e Valdet Ramës (të dy të dëmtuar) do të përballet me Mainc 05 e Jamir Hykës (parashikohet sërish ta nisë ndeshjen nga bankina).

Brigel, në humor: “Ndryshimi midis atletit
e futbollistit? Njëlloj si dardha me mollën”

Gjermani Hans-Peter Brigel në Shqipëri ka luajtur edhe si futbollist kundër nesh, por kampioni i Europës (1990) ka pasur fatin edhe të drejtojë Kombëtaren tonë. Gjithsesi, përpara se të ishte futbollist, Hans-Peter Brigel ishte një sportist i atletikës së lehtë. Madje një rekordmen i të rinjve në Gjermani në garën e kërcimit së gjati dhe trehapësh, pikërisht kur ishte vetëm 17 vjeç. Në prag të Kampionatit Botëror të Atletikës, që do të zhvillohet në Berlin, Brigel tregoi gjatë një interviste të gjatë “sekretet” e shpejtësisë dhe fuqisë së kërcimit, prej së cilave fitoi shumë në rolin e tij si futbollist. Brigeli e ka pasur rezultatin e tij më të mirë si atlet në dhjetëgarësh, pavarësisht se tani Brigel e gjykon si diçka komike, kur e konsiderojnë si të tillë. “Koha ime e atletikës më rikthen 40 vjet pas. Unë nuk kam qenë kurrë një dhjetëgarist i vërtetë. Është komike që të gjithë e mendojnë sikur kam qenë i tillë. Ndoshta tingëllon thjesht më mirë, kur një futbollist ka qenë më parë një dhjetëgarist”, - thotë ai për mediat gjermane. I pyetur se cili është ndryshimi te ai midis të qenit atlet dhe futbollist, Brigel përgjigjet me një humor të hollë: “Është njëlloj si dardha me mollën”. Sipas Brigelit, prindërit e tij nuk dëshironin që ai të merrej me futboll. Arsyeja? “Pasi ishin të fiksuar se në futboll mund të thyesh këmbët apo të nxjerrësh lehtësisht kaviljet”. Gjithsesi, Brigel ka nxjerrë konkluzionin se futbolli është kompleks. “Në atletikë të mjaftojnë të perfeksionosh pesë apo gjashtë ushtrime, por në futboll është diçka tjetër. Ka gjëra të përbashkëta, të duhet fuqi, shpejtësi dhe rezistencë. Të gjitha bashkë. Një dhjetëgarësh zgjat dy ditë dhe është ndryshe nga futbolli që luhet dy herë nga 45 minuta”.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›