Pranga kamerierit, grabiti turistin
DURRES - Kamerieri grabiti pushuesin e ardhur nga Suedia. Një shtetas kosovar, i cili prej vitesh jetonte në vendin nordik, denoncoi 1 muaj më parë grabitjen në dhomën e hotelit ku qëndronte të 5100 eurove dhe 4 pasaportave të familjarëve të tij. Policia ndërhyri menjëherë, duke marrë gjurmët në dhomën e hotelit, në lagjen 13 të Durrësit. Dyshimet ranë menjëherë mbi punonjësit e hotelit e pikërisht mbi kamerierin, i cili i kishte shërbyer në pjesën më të madhe të kohës turistit. Duke krahasuar gjurmët, policia e Durrësit arriti në konkluzionin se autor i vjedhjes ishte 21-vjeçari, Klaurent Toromani, banor i Lushnjës e student në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë. Pas arrestimit të tij pritet të njoftohet dhe pushuesi për gjetjen e autorit të grabitjes së parave dhe dokumenteve të tij. o.u