Agjenti : Si e lidha Dajtin me tel me gjemba, pas masakrës
Tiranë- Pas një pauze dyjavore, ka rinisur dje procesi gjyqësor me dyer të mbyllura ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të policisë, në atë që njihet si masakra e Durrësit. Një prej agjentëve të ngarkuar për vëzhgimin dhe arrestimin e të shumëkërkuarit ka vijuar për të tretën herë radhazi dëshminë e tij rreth operacionit të grupit operacional special në plazhin e Durrësit, aty ku ishte identifikuar personi i shumëkërkuar Dritan Dajti. Debati i seancës së kaluar duket se ka vijuar edhe në seancën e djeshme, kur i pandehuri i ka bërë një sërë pyetjesh punonjësit të policisë. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se gjatë seancës së djeshme efektivi i grupit të ngarkuar për kapjen e Dajtit është përqendruar kryesisht te momenti i arrestimit të të shumëkërkuarit, pas vrasjes së katër punonjësve të policisë. “Pashë që i kërkuari ra përtokë. Iu afrova, gjeta një tel me gjemba dhe më pas e lidha” - ka deklaruar në seancën e djeshme dëshmitari, i cili është thirrur për të tretën herë në Gjykatën për Krime të Rënda. Burime të rezervuara thanë se në dëshminë e tij, efektivi i policisë u është përmbajtur deklarimeve të dhëna në prokurori, gjatë hetimeve paraprake, por duke sqaruar me detaje çdo episod të ngjarjes së rëndë. Më pas dëshmitari ka treguar se në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe efektivë të policisë së Durrësit, bashkë me drejtuesit e kësaj drejtorie. Sipas dëshmisë, mësohet se në momentin e lidhjes së Dajtit me një tel të hequr nga një pajisje elektroshtëpiake, që ndodhej në një lokal aty pranë, në vendngjarje është afruar një punonjës policie i drejtorisë së Durrësit, i cili i ka vënë prangat të shumëkërkuarit Dajti. Dëshmitari ka pohuar se pas arrestimit Dajti është dërguar në spitalin e qytetit të Durrësit, në një furgon policie, i shoqëruar nga një numër i konsiderueshëm forcash, për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste i dyshuari. Seanca më pas ka vijuar me pyetjet e avokatëve dhe vetë të pandehurit, i cili ka kërkuar shpjegime nga dëshmitari për mënyrën sesi operonte njësia ku ai bën pjesë. Sipas burimeve, mësohet se gjatë seancës së djeshme ka pasur debate të ashpra mes Dritan Dajtit dhe dëshmitarit, i cili i ka qëndruar tërësisht versionit të dhënë në prokurori, duke iu përgjigjur kështu të pandehurit për pyetjet e bëra prej tij. Punonjësi i policisë që ka dëshmuar për tri seanca radhazi i ka dhënë fund dëshmisë së tij ditën e djeshme, ndërsa gjykata ka vendosur të procedojë me pyetjen e efektivëve të tjerë të GOS, të ngarkuar për arrestimin e Dajtit. Në fillim të seancës së djeshme, avokati i Dritan Dajtit ka rikërkuar edhe një herë nga gjykata që seancat gjyqësore të procesit që po zhvillohet ndaj klientit t’i nënshtrohet regjistrimit audio. Për këtë kërkesë, kryetarja e trupit gjykues tha se do të shprehet pas disa seancash, por pa dhënë argumente përse nuk u mor menjëherë vendim. Vetëm pak ditë më parë Gjykata për Krime të Rënda tha se me urdhër të kryetares së kësaj gjykate do të vazhdojë regjistrimi audio i seancave gjyqësore që zhvillohen në sallën nr.1, sallë kjo ku aktualisht vijon procesi gjyqësor edhe ndaj të pandehurit Dritan Dajti. Ai akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë, më 7 gusht të vitit 2009, në plazhin e Durrësit.