E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjoba” 7.5 milionë lekë, arrestohet punonjësi i bashkisë

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 16-06-2011 11:20

Durrës- Fetah Mataj, punonjës i Bashkisë së Durrësit dhe banor i lagjes 15 është vënë në pranga, pasi akuzohet se nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës i ka marrë një personi 750 mijë lekë të reja. Burime pranë policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se Fetah Mataj, 29 vjeç, punonjës i parkut të udhëtarëve pranë bashkisë së qytetit ka arritur që nëpërmjet kanosjes t’i marrë një personi nga i njëjti qytet shumën prej 750 mijë lekë të reja. Bëhet fjalë për personin me inicialet A.D. 24 vjeç, i cili ka bërë kallëzim në polici dy ditë më parë. Sipas deklarimeve të këtij shtetasi, 29-vjeçari Fetah Mataj nëpërmjet kërcënimit dhe presionit ka arritur t’i marrë shumën në fjalë në katër këste. Policia nuk bën të ditur se cila ka qenë arsyeja që i ka marrë shumën e lekëve nëpërmjet kërcënimit e kanosjes, por nga ana tjetër 24-vjeçari A.D. ka deklaruar në kallëzimin e tij se Fetah Mataj e ka kërcënuar edhe me armë. Në lidhje me këtë element, policia ka deklaruar se nuk e ka dokumentuar, por ka shtuar se pjesa tjetër e kallëzimit të 24-vjeçarit është tërësisht e saktë. Në bazë të këtij kallëzimi, policia ka ndërhyrë duke arrestuar shtetasin Fetah Mataj në orën 02.00 të mëngjesit të ditës së djeshme. Arrestimi është kryer në bashkëpunim me prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila është njoftuar për rastin në fjalë për shkak të çështjes delikate. Personi, të cilit ai i ka marrë shumën e konsiderueshme, është i punësuar në një firmë në Shkozet dhe nuk dihet arsyeja se përse ka kërkuar me ngulm marrjen e shumës në fjalë. Sipas deklarimeve të tij, Fetah Mataj mësohet se i drejtohej me fjalët: “më sill lekët se e ke punën pisk, do të të vras” etj. Nuk ka deklarime të mëtejshme rreth kërcënimeve, por policia ka shtuar se kjo ngjarje ka qenë e shtrirë në disa muaj, derisa në këstin e katërt 24-vjeçari ka vendosur të bëjë denoncim në polici. Fetah Mataj është eksponent i njohur dhe aktivist i Partisë Socialiste në Durrës. Para dy vitesh, më 26 mars 2009, ai është arrestuar në kuadër të operacionit “Batica” bashkë me 4 punonjës të tjerë të policisë bashkiake dhe rajonit nr.4 të Bashkisë së Durrësit, pasi akuzohej për veprat penale të korrupsionit pasiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›