Agjenti i FBI: Mafia shqiptare, më e vështirë se La Cosa Nostra
Mund të keni dëgjuar për krimin e organizuar italian. Mund të keni dëgjuar për krimin e organizuar rus. Tani shfaqet një grup i akuzuar për trafik droge, i cili fut në Amerikë heroinë shumë të shtrenjtë, duke nxjerrë përfitime të jashtëzakonshme financiare. Krimi i organizuar shqiptar. Çështja e FBI-së quhet operacioni ‘Shqiponja e Zezë’. Agjenti Special Jim Farley, i zyrës së FBI-së në Newark të shtetit të New Jeresy-t e udhëheq hetimin, i cili ka në fokus një dyshe në kërkim, njerëz shumë të rrezikshëm.
Agjenti Farley: Epo, i pari është Kujtim Lika, i cili njihet si Timmy. I dyti është Myfit Dika, i cili ka gjithashtu një emër të dytë Mike (Majk). Dhe i treti, edhe ai në ilegalitet deri kur u kap në Shqipëri nga Policia e Shtetit shqiptar, me të cilët vitet e fundit kemi pasur një marrëveshje shumë të mirë bashkëpunimi, ishte Gazmir Gjoka.
A u ekstradua Gjoka në Shtetet e Bashkuara?
Agjenti Farley: Po, kemi pasur shumë sukses në ekstradimin e shpejtë të të arratisurve nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara. Bashkëpunim shumë i suksesshëm. Kështu që ai u gjet fajtor për konspiracion për të shpërndarë lëndë narkotike, një akuzë që rëndon edhe mbi Myfit Dikën e Kujtim Likën.
Në ç’zona operojnë këta individë dhe me çfarë janë marrë saktësisht?
Agjenti Farley: Gjithë organizata përbëhej nga 24 vetë. Por këta të dy, Lika dhe Dika, ishin kapot e organizatës, ose të paktën një fasadë e saj. Ata ishin të përfshirë në një operacion për të futur në Amerikë nga Shqipëria 100 kilogramë heroinë dhe gjithashtu na shitën edhe ne (FBI-së) një kile e gjysmë heroinë, të cilën e përgatitën ndërkohë që ne po i survejonim dhe këtë e kemi në video. Aty ata na tregojnë sesi e përpunojnë heroinën duke “e holluar”, në mënyrë që të bëjnë më shumë para në rrugë. Zona e tyre e veprimit ishte kryesisht veriu i New Yersey-t, New York-u, por ata kishin lidhje edhe në Çicago, Detroit, Texas, por edhe lidhje ndërkombëtare në Maqedoni e Shqipëri.
Do donim të dinim se si futej droga në Shtetet e Bashkuara. Si transportohej deri këtu?
Agjenti Farley: Rrugët e transportit ndryshojnë. Plani për transportimin e 100 kileve heroinë ishte përdorimi i një kompanie mobiliesh nga Shqipëria ose Maqedonia, të transportohej nëpërmjet oqeanit me anije në kontejnerë bashkë me mobiliet dhe dorëzimi të bëhej në portin e Newark-ut ose në një port tjetër, për të cilin do të arrihej akordi. Një tjetër individ, Gjoka, që siç thashë u kap në Shqipëri udhëtoi vetë për në Amerikë dhe solli disa kile heroinë dhe kjo ndodhi edhe me bashkëpunimin e agjentit tonë undercover dhe Likës e Dikës. Se si hyri droga në Amerikë nuk jemi të sigurt, por nga testimi i heroinës dhe nga bisedat që kemi në kasetë na dëshmon se heroina që transportonin ata zakonisht vinte nga Afganistani, nëpër Turqi dhe në Shqipëri. Më pas ose futej në Europë me anë gomonesh të shpejta ose transportohej në Amerikë përmes ndonjë kompanie mbulesë.
A ishte drogë e cilësisë së lartë dhe sa ishin fitimet e tyre?
Agjenti Farley: Ata bëjnë shumë para në çdo pazar heroine; çmimi gjithnjë rritet kur futet në Amerikë, sepse aty përfshihet transporti dhe kosto të tjera që shoqërojnë futjen e mallit këtu. Specifikisht, pagesa për transportuesit dhe shpërndarësit lokalë. Kur ne bëmë pazar me ta për një kile e gjysmë heroinë, me sa më kujtohet, paguam 90 mijë USD. Dhe kjo shumë vetëm për një pazar të vogël. Bëhej fjalë për një pazar disa milionë dollarësh dhe me 100 kile të shitura ata mund të “dilnin në pension”. Një shpurë e mirë do të bënin aq para sa të mos kishin nevojë të punonin më as edhe një ditë në jetën e tyre. Përveç heroinës ata ishin të përfshirë edhe në industrinë farmaceutike: vjedhje dhe shitje ilaçesh, shpërndarje ekstazie, kontrabandë, mallra të vjedhura, kumar e të tjera. Paratë gjithmonë ndërronin duar dhe me shuma të mëdha. Nganjëherë ata ishin trokë, nganjëherë jo, në varësi sesi shkonte kumari, por po bëjmë fjalë për operacione pastrimi parash dhe trafikimi droge për gjithë organizatën, pra për miliona dollarë.
Goxha operacion…
Agjenti Farley: Në këtë çështje ne paditëm 24 vetë. 17 prej tyre janë arrestuar. Me krimin e organizuar shqiptar është pak ndryshe nga La Cosa Nostra. Nuk ka hierarki të njëmendtë me shqiptarët. Është e vështirë të përcaktosh me saktësi se ku ndodhet udhëheqja, koka, dhe se ku mbaron organizata. Kemi të bëjmë, kryesisht, me një grup lisho, ku cilido ka mallin në një kohë të dhënë, cilido ka lidhjet në një kohë të dhënë, lëviz në shkallët e organizatës dhe merr kontrollin dhe më vonë e gjitha ndryshon sërish. Ata afrohen me njëri-tjetrin për të marrë vesh se kush di ndonjë gjë për ndonjë aktivitet kriminal. Është shumë e vështirë për të kundërvepruar, sepse nuk mund të përcaktojmë hierarkinë, sepse është fluide; kështu që është një mënyrë e re e krimit të organizuar; është një problem që po konturohet. Krimi i organizuar shqiptar po bëhet një detyrë gjithnjë e më vështirë për ne. Po rritet dhe përbën një shqetësim të madh, kështu që ne vazhdojmë me hetimin tonë; kemi paditur 24 deri në 26 vetë dhe arrestuar 17. Këta të dy Lika e Dika janë më përfaqësuesit për shkak të statusit të tyre në shoqëri dhe historisë së tyre dhe ne po mundohemi t’i kapim e t’i pyesim në mënyrë që një ditë të zbulojmë më shumë për krimin e organizuar shqiptar.
Çfarë pamjesh kanë këta të dy? A kanë ndonjë karakteristikë dalluese, ndonjë shenjë a plagë, tatu e gjëra të ngjashme?
Agjenti Farley: Jo. Lika mban gjithmonë një kapele bejsbolli; ai është shumë i kujdesshëm, shumë dredharak. Ai është ekspert i narkotikëve, ka shumë të dashura, i pëlqen kumari - ndoshta një kumarxhi i fiksuar. Dika është i ngjashëm me të, një kumarxhi i pashoq, shumë i kujdesshëm ndaj përgjimeve dhe ka histori me drogën. Ai ka qenë i arrestuar më parë për trafik heroine dhe ka bërë 10 vjet burg. Në krahun e majtë ka tatuazhin e një shqiponje, ndërsa në krahun e djathtë ka një tjetër që lexon “Vdekjen para diellit” (Death Before the Sun). Në krahun e majtë mund të ketë një dragua, gjithashtu.
Përveç drogës, me se janë marrë tjetër?
Agjenti Farley: Shumica e punëve që kanë bërë, duke u përpjekur të shfaqen si punëtorë legjitimë, kanë të bëjnë me biznesin e restoranteve - hapje restorantesh; punë në restorante; shoqërim me pronarë restorantesh nga Castle Tavern dhe Marina në Greenwood Lake apo në vende të tjera ku kanë punuar apo kanë pasur ndonjë interes ekonomik. Ju mund të ndihmoi në gjetjen e këtyre njerëzve shumë të rrezikshëm: Kujtim Likës e Myfit Dikës. Posterat e tyre Wanted i gjeni në Internet te www.fbi.gov. Në rast se keni informacione për ta, kontaktoni zyrën më të afërt të FBI-së. Nëse jeni jashtë Amerikës, ju lutem kontaktoni ambasadën apo konsullatën më të afërt.
*Marrë nga një podcast i FBI-së.