Kampionati kombëtar, Të shtunën, mundësit të gjithë në tapet
Mundja do ta mbyllë vitin me turneun kryesor për 2011-ën, kampionatin kombëtar për të rritur, që do të nisë të shtunën në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Gjithçka pritet të fillojë këtë të shtunë me një ceremoni çelëse në orën 12:00, ndërsa më pas pritet të fillojnë ndeshjet. Kampionati kombëtar do të shpallë kampionët e vitit për të dy stilet, atë në stilin e lirë dhe stilin greko-romak. Ky kampionat është aktiviteti i fundit i mundjes për këtë vit dhe në të pritet të marrin pjesë mundësit më të mirë shqiptarë. Bëhet fjalë për një sport që ka pasur arritje të rëndësishme këta vjet, me medalje të fituara nga Sahit Prizreni apo edhe ish-mundësi ynë, Elis Guri, që sot garon për Bullgarinë. Mundja është një nga sportet që synon të dërgojë sportistë direkt për në Lojërat Olimpike “Londër 2012”.