Agnesa Vuthaj: “Mos flisni kot, nuk jam e dashuruar”
Kohët e fundit është spekuluar se Miss Kosova 2003 Agnesa Vuthaj është dashuruar dhe se nuk e fsheh më këtë fakt. Por duket se prapa kësaj fjalie nuk fshihet gjë tjetër veçse një spekulim i radhës me të cilët vetë protagonistja nuk e sheh të rrugës të merret. "Nuk kam asgjë për të zbuluar në lidhje me pjesën e parë të pyetjeve", shprehet Agnesa, duke përjashtuar mundësinë që të jetë në lidhje dashurie me ndokënd. Modeles shqiptare nuk i bëjnë ndonjë përshtypje ato që fliten rreth saj, gjë që dëshmohet më së miri në moton që ajo ka postuar në profilin e saj në facebook. "Njerëzit gjithmonë do të flasin gjithçka. Lërini. Unë jam duke u kënaqur me jetën time", ka shkruar ajo. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për angazhimet e saj profesionale, Agnesa tregon se po vazhdon puna në projektin "Miss Kosova 2009" që do të mbahet gjatë muajit shtator. Agnesa ka theksuar se është ndjerë mirë si e angazhuar në politikë, porse artin e ka pasion dhe i pëlqen të menaxhojë aktivitete artistike. Po ashtu, ajo e ka provuar veten edhe në aktrim duke interpretuar në filmin shqiptar "Shkallët", i cili është shpërblyer me çmime në festivale ndërkombëtare. Ndërkaq në Shqipëri është vlerësuar si filmi më i mirë i vitit 2008. Agnesa e ka cilësuar këtë përvojë si një sfidë të cilën do të donte ta provonte prapë.