Gripi i derrit, masat që do të merren për parandalimin e tij në shkolla
Ministria e Shëndetësisë publikon masat që do të merren për parandalimin e gripit të derrit në shkolla. Të vetmet masa ndaj virusit A/H1N1 në shkolla, të cilat do t’i paraprijnë parandalimit të përhapjes së tij, do të jenë raportimi i vazhdueshëm i gjendjes shëndetësore të nxënësve, mungesat e tyre si dhe arsyet, pranë autoriteteve të shëndetësisë. Ndërkohë do të shpërndahen fletëpalosje në shkollat 9-vjeçare si për nxënësit ashtu dhe për prindërit. Dritan Ulqinaku, specialist infeksionist, në ISHP thotë se do të ketë monitorim të vazhdueshëm të situatës nga të gjitha strukturat, por duhet të jenë dhe vetë nxënësit, që duhet të ruajnë higjienën në ambientet ku mësojnë. “Janë masa të thjeshta, e rëndësishme është që ne duhet të tregojmë kujdes, si Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, për të parë mbarëvajtjen e procesit arsimor. Këtu nënkuptohet shëndeti i nxënësve, numri i mungesave dhe kushtet higjienë-sanitare që shkollat duhet të kenë. Pra, kuptohet uji i kontrolluar, dhe detergjent të zakonshëm”,- shprehet Ulqinaku. Përsa i përket situatës epidemiologjike, në vendin tonë numri i të prekurve nga A/H1N1 mbetet 30 persona, ndërkohë që të hënën pritet të bëhen publike analizat e 9 personave të dyshuar, nëse janë të prekur nga gripi pandemik, ose jo.
5 Shtator 2009