Arjan Çani - Sa më i njohur të jesh, aq më pak të afrohen femrat
nertila maho
Po përgatitet që në datë 18 shtator të rikthehet në ekranin e televizionit duke ju dhënë hapësirën më të lirë personazheve të tij. Arian Çani pas një vere intensive me pushime jashtë Shqipërisë tregon për “Panorama Plus” se cilat do të jenë projektet e tij të radhës në emisionin “Zonë e Lirë”. Kush do të jenë personazhet e rinj dhe a ka ndryshuar diçka në formatin e emisionit shumë të përfolur ne do ta zbulojmë në intervistën e mëposhtme.
Si e ka kaluar Çani këtë verë? Keni bërë pushime ku dhe me kë?
Me familjen time jashtë atdheut kam kaluar një kohë të gjatë, shumë të gjatë. Vazhdoj ende të jem i bindur se nuk ia vlen të harxhosh qoftë dhe një qindarkë në këtë vend ku të mbulon zhuli dhe era e fekaleve. Më vjen aq keq që e them këtë, por kjo është e vërteta. Do doja të ishte e kundërta, por fatkeqësisht nuk ka ardhur akoma ajo ditë.
A keni filluar nga puna për sezonin e ri të “Zonë e Lirë” dhe nëse po a do të kemi ndonjë risi?
Nis këto ditë dhe gjithçka pritet të jetë gati për të premten 18 shtator.
Kur pritet të fillojë saktësisht emisioni dhe do të jeni sërish te Vizion Plus?
“Zonë e Lirë” hyn në vitin e saj të 7-të këtë sezon dhe është sërish në Vizion Plus. Nuk mund të ishte në asnjë ekran tjetër. E them këtë sepse Vizioni mbetet ende e vetmja hapësirë e lirë në “peizazhin audiovizual shqiptar”.
Po lidhur me personazhet, ka ndryshuar gjë?
Në ç’kuptim? A do të jenë po ata që keni parë apo të rinj? Do të jenë edhe ata, edhe të rinj, varet nga aktualiteti. Por më shumë do të jenë të rinj. Ju e dini që nuk jemi asnjëherë të njëjtët apo jo?
Cili personazh ju ka mbetur në mendje nga sezoni i kaluar dhe pse?
Në mendje më kanë mbetur një grup shurdhmemecësh me të cilët zhvillova një dialog të mrekullueshëm. Ishin aq të mirë. I dëgjoja, me dëgjonin. Më ka marrë malli për ta.
Një impenjim tjetër që keni pasur para disa kohësh ka qenë ai i pedagogut në degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Si ju është dukur kjo eksperiencë dhe a do të vazhdojë edhe këtë vit akademik?
Ishte një përvojë e vyer që ma mundësoi profesori dhe miku im Artan Fuga. Nuk di nëse do mundem ta riprovoj edhe këtë vit.
Ç’është të qenit “i lirë” sipas Arian Çanit... flasim këtu për kuptimin e termit brenda kornizave të emisionit tuaj dhe në jetën e përditshme?
Liria është një koncept aq i gjerë dhe aq relativ...Për t’i rënë shkurt, të jesh i lirë brenda emisionit që unë bëj, do të thotë të jesh i lirë të bësh pyetje dhe t’i lejosh të tjerët të përgjigjen. Në jetën e përditshme, të rrëzosh sa të mundësh muret që ngrihen çdo ditë në trurin tënd...
Ç’janë femrat nga këndvështrimi i Çanit, po meshkujt?
Për t’i rënë shkurt dhe kësaj pyetje, janë disa krijesa të vdekshme...
Më thoni një fenomen tipik shqiptar që ju nuk e duroni dot ose do të donit ta ndryshonit?
Zhurmat, ndotja akustike, muzika e lartë vend e pa vend...një neveri e vërtetë.
Çfarë vendi zë familja tek ju, po puna?
Familja është gjithçka për mua. Puna gjithashtu.
Fakti që jeni i suksesshëm si gazetar dhe mjaft i njohur në publikun e gjerë, a ka bërë që femrat t’ju provokojnë më shumë, si reagoni ndaj tyre?
I mirëpres, por mos kujtoni se po bëhet nami. Sa më i njohur të jesh, aq më pak të vijnë.
Thashethemi më i keq që keni dëgjuar për veten?
Nuk ka thashetheme të këqija. Thashethemet janë gjithmonë të mira.
Cilat ngjarje sociale, politike apo kulturore ju ka tërhequr më shumë vëmendjen gjatë verës nisur nga këndvështrimi juaj si gazetar?
Që Gërdeci votoi Doktorin. Pas kësaj, ika me pushime i qetë.
Ju kanë kritikuar shpesh për emisionin por ju gjithmonë e keni argumentuar sjelljen tuaj brenda “Zonë e Lirë”. Deri ku mund të shkojë një gazetar i mirë për të arritur objektivin e tij?
Deri në kufirin e pronës së tij. Më tej është keqbërje.