E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjatë shtatorit protokolli Serbi-EULEX?

Shefi i Byrosë për Punë të Jashtme dhe Integrime evropiane i MPB të Serbisë, Drazhen Maraviq ka deklaruar për mediat serbe se fjala është për çështjen teknike, sepse kontaktet dhe bashkëpunimi veç ekzistojnë prandaj nevojitet formalizimi i tyre.

“Nga njëra anë EULEX ka mandat që t’i ushtrojë disa punë në fushën e sigurisë dhe zbatimin e ligjit në territorin e Kosovës, e ne, nga ana tjetër, tashmë kemi pasur bashkëpunim me UNMIK dhe nuk ka arsyeje tash të mos bashkëpunojmë edhe me UNMIK edhe me EULEX”, ka saktësuar Maraviq, dhe ka shtuar se nënshkrimi i tij pritet gjatë shtatorit.
Ai ka shtuar se propozimi konkret i tekstit është dërguar nga pala serbe, ndonëse iniciativa ka qenë e dyanshme dhe ka rikujtuar se edhe bashkëpunimi me UNMIK “ka qenë i shprehur me një tekst që e kanë nënshkruar Qeveria e Serbisë e MPB me UNMIK”.

„Kur u bënë ndryshimet e strukturës së prezencës ndërkombëtare në Kosovë, ishte e logjikshme që bashkëpunimit ekzistues t’i shtohet edhe një kanal – midis policisë tonë dhe EULEX-it. Aty s’ka pasur asgjë kontestuese, bashkëpunohet në fushën e kompetencave të këtij Misioni si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që ka marrë përgjegjësi për sigurinë në territorin e Kosovës”, saktëson Maraviq.

Sipas fjalëve të tij, me EULEX janë mbajtur shumë takime në shkallë të ndryshme, si të drejtorisë ekzistuese bashkërenduese për Kosovën ashtu edhe në nivel të policisë, janë këmbyer informatat... Maroviq vë në dukje se fjala është për një aranzhman tipik pune që lidhet në fushat e tilla.

Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq në fillim të gushtit paralajmëroi nënshkrimin e Protokollit mbi bashkëpunimin me EULEX dhe ka rikujtuar faktin se marrëveshja e nënshkruar më herët mbi bashkëpunimin policor të MPB dhe UNMIK-ut që në të vërtetë është vetëm protokoll mbi bashkëpunimin e domosdoshëm operativ. Daçiq ka cekur se është e domosdoshme që kontrolli i “linjës administrative me Kosovën” të jetë i mirë e që, sikurse ka nënvizuar, është esenca e Protokollit me EULEX.

Daçiq pat cekur atëherë se Protokolli mbështetet në Rezolutën 1244, në vendimet përkatëse të BE dhe është në harmoni me Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të KB prej gjashtë pikave, që tashmë u është prezantuar qytetarëve. (rtk/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›