E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli & Co besojnë te Tirana kampione

Pas triumfit spektakolar dhe
shumë emocionues në
derbin e të shtunës ndaj Dinamos
(4-2), të gjithë te Tirana
janë bërë me "krahë". Nga drejtuesit
më të lartë të klubit (donatorët)
e deri te lojtari më i fundit i
kësaj skuadre, besojnë dhe më
shumë tani se, bardheblutë do të
mund të shpallen kampionë të
këtij edicioni të kampionatit shqiptar.
Një prej tyre është edhe
Ansi Agolli, mesfushori tiranas, i
cili u rikthye te ish-skuadra e tij e
zemrës, jo vetëm për të ushtruar
profesionin e tij si futbollist, por
edhe për t‘ia shpërblyer kësaj
skuadre, që e lançoi në tregun
ndërkombëtar të futbollit. 45
minutat e para i kanë lënë një
shije të hidhur, pasi edhe pse
skuadra e tij po përpiqej, goli
vazhdonte të mungonte dhe dizavantazhi
qëndronte ende në fuqi.
Por fraksioni i dytë i lojës, i dha
mundësinë, për të qenë ai protagonist
i përmbysjes së madhe, kur
në minutën e 58, mundi të
kthente në gol (barazim 2-2), një
kros të Abrahamit. "Jemi të lumtur
për këtë fitore, shprehet mesfushori
bardheblu, i ardhur në
formë huazimi nga skuadra finlandeze
e Vaasa PS. Luajtëm me
një shpirt karakteristik, sidomos
në pjesën e dytë. Paraqitja në derbi
tregoi edhe një herë se ne kemi
skuadër të mirë dhe dimë të reagojmë
në situatat e duhura.
Demonstruam të gjithë potencialin
tonë dhe në fund e merituam
fitoren". Për 26-vjeçarin mesfushor
krahu, ky triumf ishte i rëndësishëm.
Ai rrëfen edhe presionin e
madh në prag të derbit. "Kemi
qenë nën tension para ndeshjes,
pasi e dinim se kjo sfidë kishte
rëndësi për vazhdimësinë dhe
besoj ia dolëm mbanë, shton Ansi.
Situata aktuale në klasifikim,
vetëm një pikë larg Vllaznisë kryesuese
e kënaq. Dhe për këtë, ai nuk
harron të falënderojë Shkumbimin,
që frenoi arratisjen e shkodranëve
të Agim Canajt. Humbja
e Vllaznisë në Peqin, duket se ia ka
bërë me të lehtë rrugën Tiranës.
"Kampionati është i gjatë, por fakti
që edhe Vllaznia bëri hap fals në
Peqin na ndihmoi të ripozicionohemi
sipas dëshirës tonë në një
vend shumë komod në tabelën e
renditjes, pohon mesfushori. Një
gjë e tillë do të thotë se do ta kemi
më të lehtë për të përmbushur objektivin
sezonal". Megjithatë, ai
preferon të mbetet me këmbë në
tokë dhe uron që skuadra të mos
tregojë më ulje-ngritjet e deritanishme,
pasi atëherë gjithçka mund
të komprometohet. "Shpresojmë
të ruajmë këtë ritëm dhe në sfidat
e ardhshme, në mënyrë që të fitojmë
titullin, i cili është edhe objektivi
ynë madhor për këtë edicion,
shprehet Agolli, i cili rrëfen se
ka mbetur shumë i kënaqur nga kjo
fitore. Në fund të sezonit, mesfushorit
do t‘i duhet të rishikojë të
ardhmen e tij, pasi për momentin
është vetëm në formë huazimi te
Tirana, ndërsa kartoni i tij i përket
finlandezëve të Vaasa PS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›