E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Berisha e Rama të tërhiqen, PS duhet të shkojë në Parlament



Bisedoi Aristir Lumezi

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, një nga radikalët e kongresit të themelimit të PS më 1991-in, i sheh me shqetësim zhvillimet politike në vend. Duke folur për bojkotin e opozitës, ai sheh si zgjidhje vajtjen e saj në parlament dhe dhënien fund të bojkotit, ndërsa kërkon nga maxhoranca të jetë dakord për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe ndonjë kutie votimi. Agolli jep opinionin e tij për rolin e kryeministrit Berisha, rikthimin e Fatos Nanos, por edhe peshën e Mendimit Ndryshe në PS.
Profesor, politika shqiptare edhe pas 20 vjet pluralizëm vazhdon të shoqëroret nga një përplasje e vazhdueshme mes palëve, duke vënë në plan të parë interesin partiak përpara interesit për mbarë publikun, pa dallim ngjyrash politike. Nga ushqehet kjo përplasje, që duket se po mban politikën shqiptare në nivele të palëvizshme evoluimi?
është e vërtetë se në këto 20 vjet pluralizëm, shfaqja më e mirë që ka dhënë politika, është një përplasje mes palëve, që në thelbin e vet kanë interesa partiake dhe elektorale, pra një përplasje për interesa fare të ngushta. Kjo është një përplasje që vjen nga mentaliteti feudal dhe jo nga periudha e komunizmit, sepse shumë herë ia atribuojnë komunizmit. Ne shumë herë komunizmin e ngatërrojmë me feudalizmin. Akoma në Shqipëri veprohet si në kohën e kapedanëve dhe bajraktarëve, "unë kam një gjel dhe gjeli im duhet t'i mundë të gjithë gjelat e tjerë". Madje edhe komunizmi ynë nuk ishte komunizëm i vërtetë, por ishte komunizëm bajraktar. Ende politika shqiptare nuk është shkëputur nga ky mentalitet, ndoshta ajo ka interesa ta ruajë fort atë. Shprehje e këtij mentaliteti janë edhe veprime të tilla, si rritja e çmimit të energjisë elektrike, kur OSSH e ngriti çmimin me 23% menjëherë. Kjo gjë dëmton, sepse e thënë në gjuhën popullore, kjo i ngjan rakisë, mund ta pish me fund ose dalëngadalë. Kur e pi me fund, ajo të bie në kokë dhe të jep pasoja, kur e pi me gllënjka dhe ngadalë, ajo nuk dëmton. Një rritje e tillë dëmton ekonominë familjare dhe çon në pasoja deri depresive për njerëzit që vihen në vështirësi për ta paguar. Ministri i Energjetikës me paturpësinë më të madhe, tha se jemi më komodë tani që OSSH është private. Si mund të jesh më komod kur populli yt vuan dhe vështirësohet për të paguar çmimin e energjisë. Populli të ka zgjedhur që të ruash xhepin e tij, jo të rregullosh xhepin tënd dhe të lejosh kompanitë private të vendosin çmime sipas qejfit të tyre. Ose kemi rastin e centralit bërthamor. Pulia, e cila është pothuaj njëlloj si Shqipëria, nuk e lejon ngritjen e tij, ndërsa ne japim "OK" për ndërtimin e tij. Atëherë pse të shtojmë rrezikun ndaj popullatës sonë, kur këtë rrezik aktualisht nuk e kemi, madje nuk kemi as traditë për energji atomike. Prandaj unë mendoj se politika jonë duhet të jetë më mendjemadhe dhe të mos u nënshtrohet kushteve që na imponojnë të huajt, qoftë edhe miqtë tanë. Edhe ndaj të huajve nuk duhet të jemi aq të përulur, meqë do të hyjmë në Evropë. Ne në Evropë do hyjmë, sepse jemi në Evropë.
Dukë vazhduar idenë tuaj të "luftës së gjelave", debati për kutitë, "i hap, nuk i hap" çfarë shije lë tek ju si një qytetar, larg interesit të drejtpërdrejtë politik?
Përqendrimi i të dy palëve te kutia mua nuk më pëlqen, sepse hyrja në Parlament është tjetër dhe hapja e kutive është një gjë tjetër. Edhe brenda Parlamentit mund t'i kërkosh me forcë kutitë, madje aty e bind kundërshtarin politik...
...ju nuk jeni dakord me vazhdimin e bojkotit?
Shiko, edhe bojkoti është mënyrë demokratike, sepse në shoqëritë tiranike nuk lejohet dhe nuk ka bojkot. Ndërsa sot, bojkoti, protestat janë shfaqje të shoqërive demokratike, por bojkoti duhet të jetë brenda masës. Sepse nuk mund ta bësh atë një vit të tërë, se edhe opozita e atëhershme e '97 dhe 2001, bojkotoi deri edhe Kushtetutën, nuk mori pjesë në hartimin saj. Pra, 3 vjet me radhë opozita e Sali Berishës nuk hyri në Parlament, por Kushtetuta u hartua dhe u miratua, ndërsa tani e pranojnë dhe mbi atë kushtetutë punojnë. Pra, ai bojkot nuk dha ndonjë rezultat për ato gjëra që ata kërkonin. Bojkoti nuk përdoret për herë të parë, madje mospjesëmarrja në hartimin e Kushtetutës atëherë ishte më keq se mospjesëmarrja në seancat e sotme. Mirëpo këta nuk i kujtojnë ato që kanë bërë vetë në atë kohë. Në këtë pikë, unë mendoj se maxhoranca duhet ta verë veten në pozitat e saj të dikurshme. Tani po hapen arkivat pa ligj dhe është një gjë e realizueshme, e jo më kutitë që janë disa fletë dhe vota anonime. Të gjitha dosjet janë hapur dhe s'ka se çfarë hapen më. Por me hapjen e këtyre të fundit, maxhoranca nuk ka hallin e transparencës, por ka ndërmend burgosjen e njerëzve, pas 20 vjetëve. Sipas mendimit tim, këtu kërkohet një revansh.
Si e vlerësoni gjuhën e përdorur në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës?
Në Parlament, kur ti kërkon zbutjen e situatës dhe bashkëpunim, ngrihesh dhe i thua "i biri i Xhelilit", "i biri i Sulejmanit", etj. A mund të ketë një gjuhë të tillë në Parlament, ndaj një deputeti që e ka zgjedhur populli?! Kjo është një luftë klasash brenda Parlamentit. Nëse do të bësh luftë klasash, bëje jashtë tij, por jo me të zgjedhurit e popullit. Pas 20 vjetësh demokraci, ndryshon një brez i tërë, gjërat nuk janë më si në kohën e atyre që ti akuzon, ndërsa më keq akoma, ti etiketon të birin e filanit. Edhe mua duhet të më harrosh që kam ndryshuar në kaq vjet. Unë nuk jam majmun që s'ndryshoj, edhe majmuni ka ndryshuar dhe është bërë njeri, ndërsa ti sot, më kujton mua se çfarë ka qenë babai dhe gjyshi. Duke mbizotëruar kjo gjuhë, si pretendohet të ketë bashkëpunim, duke i kujtuar historinë e brezit të kaluar?! Nëse ti je fiksuar te historia personale e deputetëve, përse i pranon në Parlament, më mirë përzëri, sepse ti nuk i do aty, kur u kujton sa herë të jepet mundësia historinë familjare të deputetëve. Atëherë pse thua 'mos bëj bojkot', kur ti pa ardhur ende në parlament i etiketon me baballarët?!
Cila mund të jetë zgjidhja e krizës politike?
Zgjidhja për mua është vajtja në Parlament dhe maxhoranca të thotë që 'jemi dakord që edhe materialet e votimit të hapen në ato zona që kërkon opozita, por mund të pranojë edhe hapjen e disa kutive se nuk ndodh ndonjë hata'. Nuk do të hapen të gjitha kutitë, kjo është vetëm për të krijuar një ide se si janë bërë zgjedhjet. Unë habitem se zoti Berisha është njeri me potencial intelektual dhe politik, njeri me përvojë, tashmë të gjatë në pluralizëm e vullnet të fortë. Në qoftë se ai do të zbatonte disa parime demokratike dhe një kulturë demokratike më të gjerë, e rrjedhimisht në këtë kohë do të kishte pranuar hetimin e zgjedhjeve, mund të cilësohej si një udhëheqës i vendosur e i vërtetë. Mirëpo, ai me këtë qëndrim dëmton vetveten, sepse sot po të zgjidhte këto probleme, që për mua janë tepër të vogla, nesër mund të shpallej një lider i përmasave përtej kufijve kombëtare, sepse në historinë 20-vjeçare të zhvillimeve demokratike, ai ka treguar se ka rezistuar me këmbëngulje. Unë e njoh Sali Berishën, është një njeri me një kulturë të gjerë, jo vetëm politike, por dhe filozofike e letrare më shumë se të tjerët. Por shoh një veçori karakteristike, që mbisundon në tërë politikën shqiptare, që është intoleranca. Kur një politikan shqiptar mban një qëndrim, e më vonë i duhet të reflektojë ndaj atij, druhet se mos ky ndryshim, që është në të mirën publike ose të shumicës së shqiptarëve, i duket se populli apo ata që e kanë zgjedhur do ta quajnë burracak, që u tërhoq nga qëndrimi i tij i parë. Edhe në rastin e kutive të votimit, Berisha tha që në fillim se 'kutitë nuk hapen', dhe duke u nisur nga kjo veçori kombëtare, intoleranca, ai vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij të parë. Druhet se po të tërhiqet për të mirën e vendit nga "moshapja e kutive", do ta quanin të dështuar, sikur iu mposht presionit apo kërkesës së opozitës etj. Politika shqiptare duhet të heqë dorë nga ky kompleks i saj dhe të shohë të mirën e përgjithshme e të mos qëndrojë në llogore të palëvizshme. Po kështu edhe nga ana tjetër, vazhdohet të këmbëngulet se kutitë duhen hapur, se ndryshe s'do ketë asnjë normalizim të marrëdhënieve me Kuvendin, duke treguar mentalitet të vjetër, të burrërisë së sëmurë shqiptare. Nëse do të hedhim një sy në botën e qytetëruar, atje bëhen lëshime, tërheqje, forca të mëdha ushtarake të Luftës së Dytë Botërore kanë bërë aleanca dhe kanë bashkëpunuar për të mirën e njerëzimit dhe s'kanë mbajtur pa kufi pozicione armiqësore mes tyre. Madje edhe në Luftën e Dytë Botërore, Willson dhe çurçill bënë aleancë mes tyre kundër një rreziku më të madh, Hitlerit.
Dy ditët e fundit kemi një përsëritje të betejës së mitingjeve, PS do të bëjë protestë në 30 prill, ndërsa maxhoranca miting festiv në 1 Maj. Si e perceptoni ju këtë përballje?
Unë do ta quaja çudi atë që po ndodh në Shqipëri. Edhe kjo më kujton "luftën e gjelave". Protesta e opozitës është një e drejtë demokratike, ndërsa do ta quaja të pavend dhe pa kuptim mitingun festiv të qeverisë në 1 Maj. Miting për 1 majin nuk mund të bëjë një qeveri demokratike, festa e 1 Majit është karakteristikë e vendeve komuniste, si Kina, Koreja e Veriut, Kuba, Venezuela e Hugo çavez. Ky lloj mitingu për 1 Maj, për të festuar reformat dhe sukseset e qeverisë, nuk ka sens. Në 1 Maj protestojnë punëtorët, ndërsa qeveria jonë po na rikthen në paradat e punëtorëve për këtë datë, kur ata ishin shumë të lumtur se jetonim në begati dhe bollëk të madh. Kjo filozofi tregon edhe njëherë karakterin intolerant të politikës shqiptare. çështja e sheshit "Skënderbej" është bërë si Gaza mes palestinezëve dhe izraelitëve. Kur vonohen gjërat për t'u realizuar, kështu ndodh, prandaj ato mund të bëheshin shumë kohë më parë dhe çështja e sheshit të mos ngatërrohej me çështjen politike të hapjes së kutive. Sepse sot në Shqipëri, edhe kur hapet një kanal i ujërave të zeza, në momentet e një krize të madhe politike, fekalet kthehen në një objekt politik mes palëve.
çfarë veçorish dalloni te Rama dhe Berisha, si dy liderët aktualë të politikës shqiptare sot?
Unë them një gjë, që kryetari i qeverisë duhet të përmbajë pak entuziazmin, në raste fatkeqësish natyrore, t'i inkurajojë të dëmtuarit, ndërsa në dëmshpërblime, para se të premtojë dëmshpërblim qindarkë për qindarkë, duhet të bëjë më parë llogaritë. Asnjë shtet, sado i fuqishëm të jetë, nuk mund të dëmshpërblejë një më një.
Në PS, pas zgjedhjeve, janë zhvilluar debate për situatën paszgjedhore dhe pozicionin që kjo parti duhet të mbajë, madje patëm edhe një grupim të Mendimit Ndryshe. Si i vlerësoni këto debate?
Ato kanë qenë gjithnjë, që në lindjen e saj, ka pasur debate dhe kundërshti. Nuk janë as të rrezikshme dhe as për herë të parë. Unë kam bërë kundërshtime dhe s'kam qenë dakord herë pas herë për çështje të veçanta. Por tjetër është të jesh kundërshtar në mendim, dhe tjetër në veprim. Këta i janë bindur vendimit të shumicës dhe vetëm janë shprehur kundër disa qëndrimeve, por nuk kanë marrë asnjë veprim kundër PS-së. Domethënë nuk marrin përsipër rol drejtues, të llojit "unë e marr përsipër partinë!", pra nuk janë të atilla forca, apo atillë individëve e personalitete që të marrin përsipër e të drejtojnë një parti. Unë mendoj se ata flasin për të bërë një emër në politikë dhe në parti, se nëse nuk do të flisnin, do të ishin anonimë dhe të padëgjuar. Këta e kanë për t'u dëgjuar që jam edhe unë, por jo për të drejtuar. Ndryshe nga PD-ja, që nuk ka asnjë zë dhe mendim ndrydhe, këto zëra i japin një kolor, një ngjyrë jetës së PS-së, por që nuk kanë këllqe për të drejtuar.
Ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, i tërhequr nga politika aktive, mund të rikthehet sërish në të si president i vendit? Mendoni se ai mund të rikthehet edhe në PS?
Fatosin mund ta venë president, nuk ka ndonjë gjë të keqe, ndërsa rikthim në ato detyra që i ka pasur dikur, nuk e besoj, pasi ai e ka arritur kulmin dhe s'mund të rikthehet në pikën që ishte. Si edhe shkrimtarët arrijnë një kulm dhe s'japin dot më. Që të vazhdosh gjatë, duhet të kesh karakter shumë të fortë, duhet të jesh shumë punëtor, të mos shkosh pas zbavitjeve, duhet të heqësh nga jeta jote zbavitjet personale, duhet të mos të të tërheqin zbavitjet, në klube, me femra, bixhoz etj. Domethënë, të largohesh dhe të heqësh dorë nga gëzimet, të privohesh nga gëzimet, të jesh asket. Komunistët që ishin të zotët shumë, ishin asketë, ata që fituan pushtetin dhe luftën, nuk vinin asgjë mbi detyrën. Ndërsa këta lloj, janë të përkohshëm, janë entuziastë në fillim dhe pasi arrijnë pushtetin, nisin e merren me qejfe se "prapa më vjen historia". Një pjesë e madhe e shqiptarëve kështu janë. është sindromë kombëtare. Faik Konicës i thoshte Fan Noli: "Pse nuk shkruan o Faik?" "E ç'të shkruaj?, po shkrova... kush do t'i blejë, kush do t'i lexojë?" dhe e linte shkrimin. Ai ishte mendjendritur. Edhe politikanët tanë këtë thonë: "E ç'të merremi me politikë? Më mirë merrem me veten dhe me qejfe!" Edhe Berluskoni këtë tha: "U lodha me politikën, do ta lë tani, por këta më duan dhe s'kam ç'të bëj, po vazhdoj!".
vijon neser

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›