E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama nis punimet në sheshin “Skënderbej”,Qeveria: S’e lejojmë pa lejen e KRRTRSH



zirina llambro

Nisja e punimeve në sheshin "Skënderbej" shënoi dje përplasjen e radhës mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë. Një orë pas inaugurimit, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, paralajmëroi bllokimin e punimeve, duke i quajtur ato të parregullta. Sipas tij, projekti ka deviacione dhe favorizon njerëz të afërt me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Po kështu nuk ka marrë miratim KRRTRSH-së. "Ndryshimet ndaj planit francez janë të thella dhe për më keq janë tërësisht klienteliste, nëse i referohemi hartës, të cilën ne e kemi në dispozicion jozyrtarisht, bëhet fjalë për disa ndryshime, që lidhen ngushtë me disa interesa të njerëzve të afërt të zotit Rama, përfshirë hotelet e Koços dhe të Dashit. Nuk kemi ndërmend të lejojmë këtë plan të pamiratuar, të përdoren fonde nga Qeveria e Shqipërisë, të ndërhyjnë në sheshin 'Skënderbej', që lidhet me interesat e hoteleve të Koços dhe të Dashit. E ftoj zotin Rama të dërgojë planin për miratim dhe shqyrtim, sepse është në kundërshtim me ligjin për urbanistikën edhe me vendimin 180 të Këshillit të Ministrave", - tha Olldashi. Ai e quajti nisjen e punimeve si një reagim të menjëhershëm të shqetësimit të ngritur nga kryeministri disa ditë më parë për gjendjen mjerane, në të cilën ndodhet sheshi. "Unë do të doja ta përshëndetja nxitimin apo shpejtësinë me të cilën kryetari i bashkisë reagoi ndaj ndërhyrjes së kryeministrit një javë më parë në mbledhjen e qeverisë. është shumë mirë që pas ngritjes se shqetësimeve nga kryeministri, kryetari i bashkisë të reagojë, pavarësisht që do të ishte e udhës që të bënte punën e tij, pa pasur nevojë për të bërtitura", - tha ministri. Por megjithëse e cilësoi këtë reagim si pozitiv, ai theksoi se ka një problem shumë të madh. Sipas Olldashit, kryetari i bashkisë po ndërhyn në shesh pa pasur një projekt, pavarësisht se thuhet prej tij se ka një projekt nga studio "51 N4E." Studioja 51 ka qenë e një klienti të vjetër të zotit Rama, e shokut të tij të dhomës në Paris, Andi Sala. Ligjërisht qendra e Tiranës ka një plan të aprovuar, që është Plani Francez dhe për të cilin jemi të gjithë në dijeni. Nëse bëhet një ndryshim i këtij plani, është e domosdoshme që ai të paraqitet për miratim në KRRTRSH, gjë që nuk ka ndodhur", - deklaroi ministri i Punëve Publike. Ai theksoi se, kryetari i Bashkisë së Tiranës po shkel në mënyrë arbitrare ligjin për urbanistikën. "Ne nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë, që interesat e klientëve politike dhe financiare te z. Rama, të mbivendosin interesat e qytetareve të Tiranës dhe që Rama në këtë mënyrë sheshin ta kthejë në përshësh", - tha Olldashi. Këto deklarata duket se janë vetëm fillesa e një vale të gjatë përplasjesh, mes pushtetit lokal dhe atij qendror, të cilat të kujtojnë rastin e mbikalimit të "Zogut të Zi". Pak ditë më parë, vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha, kërkoi një plan urgjent nga Ministria e Punëve Publike, për të asfaltuar sheshin "Skënderbej". Berisha u shpreh se është e papranueshme që punimet po zvarriten që prej dy vitesh, ndërkohë që fondet për to janë dhënë.

Shembja te "Zogu i zi"

Rreth 3 vjet më parë, një përplasje disamujore mes bashkisë dhe qeverisë, konkludoi në prishjen e mbikalimit te "Zogu i zi". Ishte qeveria, ajo që edhe pse punimet ishin thuajse në gjysmë, urdhëroi policinë ndërtimore të prishte mbikalimin. Dalja e kryeqytetit u kthye njësoj si më parë. Mbikalimi te "Zogu Zi" në Tiranë u prish, pasi KKRRTRSH e drejtuar nga kryeministri Berisha shfuqizoi në dhjetor të 2005-ës vendimin e KRRT të Bashkisë së Tiranës, drejtuar nga Rama për ndërtimin e këtij mbikalimi. Sasia e parave që humbi bashkia ishte rreth 2 milionë dollarë. Përplasjet për mbikalimin te "Zogu i zi" nisën me deklarata mes palëve, të cilat kishin ngjyra krejtësisht politike. Ajo çka fituan qytetarët prej këtyre përplasjeve ishin muaj të tërë pluhur e trafik, deri sa mbikalimi u ngrit dhe në vijim sërish një trafik të rënduar në hyrje të Tiranës. Bashkia asokohe bëri padi në Gjykatë Kushtetuese për vendimin e marrë nga qeveria, duke e cilësuar atë shkelje të Kushtetutës dhe cenim të autonomisë vendore.

Asfaltohet rruga e re, pas Pallatit të Kulturës

Për pak ditë përfundon rruga e re e hapur nga bashkia, pas Pallatit të Kulturës. Ajo është një prej katër akseve, të cilat deri sa të përfundojë ndërtimi i unazës së vogël, do të mundësojë çlirimin e trafikut. Pak ditë më parë u rikonstruktua rruga "Abdi Toptani", një tjetër aks ndihmës, ndërkohë që po punohet paralelisht edhe për rrugët "Bardhok Biba", "Urani Pano". Sipas Bashkisë së Tiranës, sheshi "Skënderbej" prej kohësh duhet të kishte nisur punimet, por ato u bllokuan, për shkak të veshit të shurdhër të qeverisë dhe moszbatimit nga ana e saj, të detyrimit për të bërë një shpronësim, që do të hapte aksin e unazës së vogël. Në këtë mënyrë nuk do të lejohej degradimi i sheshit deri në atë pikë, ku është bërë shqetësim për të gjithë. Rrugët provizore janë parashikuar për përballimin e flukseve tranzit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit "Skënderbej". Sipas projektit fillestar për rikonstruksionin i sheshit, qarkullimi i automjeteve ishte parashikuar të devijonte në unazën e vogël, ku qeveria duhej të shpronësonte godinën e INSIG dhe disa shtëpi pas saj. Kreu i saj, Edi Rama, ka akuzuar qeverinë se ka dy vjet që vonon shpronësimin e kësaj godine, për rrjedhojë punimet në shesh. Si fillim, punimet në sheshin "Skënderbej" do të kryhen vetëm në një pjesë të tij, duke lejuar qarkullimin e automjeteve para hotel "Tiranës".

Bashkia nis punimet në “Skënderbej”

zirina llambro

Nisin punimet për rikonstruksionin e sheshit "Skënderbej". Qytetarët nuk do ta ndjejnë shumë rëndesën e trafikut, pasi për këtë fazë qarkullimi i makinave do të lejohet njësoj si më parë.
Deri sa të ndërtohet unaza e vogël, bashkia ka menduar që të punohet me blloqe, për të mos shkaktuar kaos. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe të institucioneve për hallkat e mëtejshme të realizimit të tij. I shoqëruar nga përfaqësuesit e firmës kuvajtiane "Mak & Sons Grup" dhe studios fituese belge 51 N4E, Rama e cilësoi projektin si më të madhin dhe më të ndërlikuarin, që ka ndërmarrë Bashkia Tiranës. "Por është gjithashtu një projekt, cili do t'i japë mundësinë sheshit 'Skënderbej', të përjetojë rilindjen e tij, me një ambicie, që është ambicia për ta kthyer këtë shesh, jo vetëm si një vend ku jehon historia e këtij qyteti, por edhe si një pasqyrë të një shekulli të ri", - u shpreh kryebashkiaku. Vetëm 5 ditë më parë kryeministri i vendit, Sali Berisha, urdhëroi asfaltimin e sheshit "Skenderbej". Fill pas kësaj deklarate, bashkia nxitoi të nisë punimet, për të cilat nuk ishte caktuar ende një datë e saktë. Po kështu, nisja e tyre vjen vetëm dy ditë pas deklaratës së Partisë Demokratike për t'iu kundërpërgjigjur me mitingje thirrjes për protesta nga opozita. Që prej vitit 1991 sheshi "Skënderbej" ka qenë sheshi i manifestimit të të djathtëve. Por jo vetëm gjatë kohës kur do të kryhet rehabilitimi, as në përfundimin e projektit, ai nuk do të përdoret me për mitingje. "Ky ka qenë një shesh i paradave, manifestimeve të forcës në të gjithë historinë e tij. Projekti është i konceptuar për ta kthyer këtë shesh në një vend të manifestimit të individualitetit njerëzor, të qytetarisë si shprehje e personit dhe jo e turmës. Gjithçka përmes një forme shumë të veçantë që do të ketë sheshi, që do të evokojë historinë, por njëkohësisht do të nënvizojë faktin se tashmë historia është e dominuar nga qytetari i barabartë mes qytetarësh", tha Rama.
Infrastruktura
Asnjë makinë nuk do të lejohet të kalojë më kur sheshi "Skënderbej" të ketë pamjen e tij të re. është konceptuar që aty të kalojnë vetëm këmbësorët. "Do të jetë një shesh i qytetit dhe i qytetarëve, pa makina, i rrethuar nga një kurorë e gjelbër, që do ta realizojmë përmes pemëve të shumta, që do të mbjellim në të gjithë perimetrin e tij, duke e kthyer në një oaz për të gjithë ata që do të duan të jenë në mes të Tiranës, por larg trafikut", - theksoi kryebashkiaku. Projekti do të jetë i vështirë, pasi do të ketë një infrastrukturë nëntokësore të papërdorur ndonjëherë më parë në Shqipëri. Ajo do të shërbejë për ta kthyer sheshin, sipas dëshirës dhe rasteve të caktuara, në një shesh me shatërvanë të lartësive të ndryshme, ose në një shesh pa asnjë pikë ujë. "Kjo do të varet nga mënyra se si do të administrohet. Dua të theksoj se uji që do të përdoret për ta lagur, për ta zbukuruar sheshin, për të krijuar mundësi për lojëra të fëmijëve gjatë verës me ujin, nuk do të jetë ujë i pijshëm, por do të jetë ujë shiu, që do ta grumbullojë vetiu sheshi, falë infrastrukturës së posaçme nëntokësore", - u shpreh Rama. Plani i punës konsiston në punime të ndara, pa e mbyllur të gjithë sheshin njëkohësisht. "Pikërisht për të mos bllokuar të gjithë trafikun, që detyrimisht sot kalon nga ky shesh, për shkak të pamundësisë për t'u lidhur aty ku sot është godina e INSIG-ut, do të bëjmë gjithçka mundemi që përmes këtij procesi të ndarë në pjesë, t'i realizojmë të dyja punët, edhe ndërtimin e sheshit sipas parashikimit, por edhe mospengimin përtej një kufiri të caktuar të arsyes së qytetarëve që duan të lëvizin me makina", - nënvizoi Rama.

Projekti, gërmim 9 metra për depozitat e ujit

Deri dje pasdite fadromat kishin gërmuar një pjesë të mirë zonës, e cila e rrethuar me tela, shënon kantierin e parë të sheshit "Skënderbej". Nga sa pohuan punëtorët e kontraktuar nga firma "Mac-Albania, aty do të ndërtohen rezervuarët nënujorë." Do të gërmohet 9 metra për të bërë të mundur krijimin e dhomës teknike me pompat e ujit", - thanë punëtorët. Ndërkaq, nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, faza e parë e projektit do të zgjasë 9 muaj. është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri "Skënderbej". "Do të bëhet ndërtimi i një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skenderbeut. Ajo është e projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit. Në të do të instalohen rezervuarët e ujit teknologjik dhe atij për vaditje si dhe pompat e pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvanëve të sheshit të ri", - sqarojnë specialistët. Gjithashtu do të mundësohet ndërtimi i dy galerive të nëndheshme. Ato do të përdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojnë sheshin në të dyja drejtimet kryesore veri-jug dhe lindje - perëndim. Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin "Zogu i Parë" pranë "Veve Center", do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me rrugën "Myslym Shyri". Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në Rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e Rrugës "Luigj Gurakuqi" me Unazën e Vogël.Në të dyja këto nënobjekte do të punohet paralelisht. është parashikuar gjithashtu edhe ndërtimi i disa kolektoreve për ujerat e zeza dhe të bardha, që do të sistemojnë të gjitha derdhjet e institucioneve që janë të vendosura në periferinë e sheshit "Skënderbej".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›