Financimi i arsimit të lartë dhe kreditë studentore
Dritan Nelaj*
Pak ditë më parë Z.Bardhyl Musai, këshilltar i kryeministrit për arsimin, lajmëroi nëpërmjet një artikulli në "Panorama" ndryshimin e formulës së financimit të arsimit të lartë vendës. Synimi i qeverisë për të reformuar formulën e financimit të arsimit të lartë vlen të përshëndet, por nga ana tjetër duhet bërë kujdes që procesi i hartimit të politikës së re do të duhet të kalojë nëpërmjet një debati të gjerë, i cili siguron përfshirjen e grupeve të gjera të shoqërisë, institucioneve të arsimit të lartë, ekspertëve të fushës, administratorëve të sektorit dhe politikëbërësve.
Vlen të përmendet se formula e financimit të arsimit të lartë përbën një çështje delikate për shumë vende të botës. Natyra e financimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në përcaktimin e tipareve kryesore të sistemit dhe produktit të tij. Një sistem masiv favorizon një formulë financimi, e cila i lejon universitetet të vendosin çmime të diferencuara, bazuar në kosto dhe misione të ndryshme. Kësisoj, vlerësohet se liberalizimi i tarifave të studimit ndihmon në shpërndarjen e drejtë të burimeve financiare drejt institucioneve të arsimit të lartë. Vlerësohet se sinjalet që përftohen prej tarifave, ndihmojnë në rritjen e eficencës së shpërndarjes së burimeve, ndërsa konkurrenca e bën sektorin e arsimit të lartë më të ndjeshëm ndaj preferencave të studentëve dhe punëdhënësve. Në të kundërt, në rastin e tarifave të sheshta apo të subvencionimit të tyre, është qeveria ajo që përcakton kufijtë e financimit për çdo universitet. Shumë shtete të zhvilluara janë bindur se skema më e përshtatshme për financimin e arsimit të lartë (në rastin e mësimdhënies) është transferimi i burimeve financiare nga studenti tek institucioni i arsimit të lartë.
Debati themelor mbi formën e financimit të studentit përqendrohet në atë se a duhet marrë në konsideratë gjendja financiare e individit dhe familjes së tij në periudhën kur aksesohet arsimi i lartë, apo duhen konsideruar të ardhurat që do të sigurojë individi pas diplomimit. Qasja e parë sugjeron mbështetjen financiare të studentëve, të cilët jetojnë në një familje të varfër edhe pse në të ardhmen, pas diplomimit, individi në fjalë mund të përfundojë i pasur. Ndërsa qasja e dytë sugjeron financimin bazuar në kredi studimi, të cilat shlyhen pas diplomimit, në varësi të nivelit të të ardhurave që përfiton i diplomuari, si pasojë e veprimtarisë në tregun e punës. Shumë qeveri e kanë zgjidhur dilemën, duke i gërshetuar qasjet e mësipërme nëpërmjet një modeli financimi, që bazohet në bursa dhe kredi studentore. Disa ekonomistë të arsimit të lartë sugjerojnë që skema e kredive studentore të mbulohet tërësisht nga sistemi bankar, ndërsa ai i bursave të studimit të mbulohet nga qeveria. Në të kundërt, studiues të tjerë argumentojnë se, nëse kolona kryesore e financimit do të bazohej te kredidhënia bankare, atëherë sektori i arsimit të lartë do të vuante pamjaftueshmëri financimi. Kjo, për shkak se rasti i kreditimit të kapitalit njerëzor është mjaft i ndryshëm krahasuar me kreditimin për konsum, blerje banese apo biznes. Vështirësitë hasen njëherazi si në planin e kërkesës, ashtu edhe në atë të ofertës. Në planin e kërkesës argumentohet se mund të ndodhë që të ardhurat e studentit pas diplomimit të jenë të vogla, ndërsa kësti i kredisë i lartë, duke e bërë të vështirë shlyerjen e kredisë.
Oferta e kredidhënies përballet gjithashtu me pasiguri. Në rast se një bankë lëshon një kredi banese dhe ndodh që pas disa kohësh kredimarrësi rezulton i paaftë për ta shlyer kredinë, atëherë banka mund ta përvetësojë dhe shesë banesën. Kjo nuk është e mundur në rastin e kapitalit njerëzor, për shkak se huadhënësi nuk mund të nxjerrë nga koka e të diplomuarit të paaftë për të shlyer kredinë, njohuritë dhe aftësitë që ai ka marrë përgjatë studimit dhe më pas t'i tregtojë ato sikundër është e mundur në rastin e banesës. Për këtë shkak, bankat përballen me risk dhe pasiguri të lartë përkundrejt aftësisë së studentit për të shlyer kredinë pas diplomimit. Banka e ka të vështirë të parashikojë suksesin financiar të një studenti pas diplomimit. Në mënyrë që bankat të mbrohen nga risku, ato priren të financojnë vetëm ata aplikantë, prindërit e të cilëve kanë një pronë të paluajtshme dhe vendosin ta përdorin si garanci për huamarrje. Një zgjidhje e tillë do të përjashtonte nga mbështetja financiare grupe të tëra aplikantësh, të cilët nuk mund ta plotësojnë këtë kusht. Për rrjedhojë, gjykohet se kreditë konvencionale çojnë drejt pamjaftueshmërisë së huamarrjes dhe huadhënies në rastin e financimit të studimeve dhe kostove së jetesës së studentit. Nëse formula e financimit të arsimit të lartë do të mbështetej në kreditimin bankar, atëherë sektori do të vuante nga një financim i pamjaftueshëm dhe rrjedhimisht, aksesi në studimet universitare i një pjese të qytetarëve do të bëhej i vështirë. Ky rrezik përbën arsyen kryesore se përse qeveritë e vendeve të zhvilluara ndërhyjnë nëpërmjet skemës shtetërore të kredive studentore dhe bursave. Skema e kredive studentore justifikohet gjithashtu, në sajë të nevojës për të ndarë koston e arsimit të lartë ndërmjet shoqërisë dhe përfituesve të drejtpërdrejtë të shërbimit.
Përfshirja e studentëve në ndarjen e kostos së arsimit të lartë konsiderohet mjaft efikase sipas logjikës mikroekonomike, për shkak të përfitimeve të larta private të një individi të shkolluar në arsimin e lartë. Studime të shumta vërtetojnë se të ardhurat mesatare të një individi që zotëron një diplomë universitare janë dukshëm më të larta se të një individi që nuk zotëron një kualifikim të tillë. Ndarja e kostove të arsimit të lartë midis shoqërisë dhe studentit është gjithashtu e nevojshme për arsye fiskale, për shkak të kostos mjaft të lartë që paraqet masivizimi i arsimit të lartë dhe nevojës për të drejtpeshuar trysnitë konkurruese fiskale, sikundër është sistemi shëndetësor apo politika të tjera sociale. Për më tepër, ndarja e kostove ndihmon parimin e barazisë, duke korrigjuar defekte të tilla të sistemit, sikundër është rasti i subvencionimit të shkollimit të qytetarëve të pasur nga qytetarë më të varfër. Sistemi i kredive studentore transferon kostot kryesore të arsimit të lartë nga taksapaguesit te të diplomuarit, të cilët pritet që të kenë një nivel të ardhurash përgjatë jetës më të lartë se në rastin e mosfrekuentimit të arsimit të lartë. Një skemë e tillë e kombinuar edhe me një program bursash, transferon burimet financiare nga më të pasurit (të cilët humbasin subvencionimin e tarifës, sikurse ndodh sot në universitetet shtetërore) te të varfrit e sotëm (të cilët përfitojnë bursë) dhe te të varfrit e nesërm, të cilët nuk do të duhej të shlyenin plotësisht kredinë studentore, në rast të pamjaftueshmërisë të të ardhurave. Skema e propozon që të talentuarit dhe ato grupe të margjinalizuara, të cilat nuk priren për të marrë pjesë në arsimin e lartë, të trajtohen me bursë, ndërsa pjesa dërrmuese e studentëve trajtohen me kredi studentore. Ekonomistët e arsimit të lartë bien dakord që skema e kredisë studentore, e financuar nga qeveria, duhet të përmbushë tri karakteristika kryesore. Skema e shlyerjes së kredisë duhet të bazohet në të ardhurat e të diplomuarit. Pra, shkalla e kësteve të kredisë dhe intensiteti i shlyerjes varion sipas ecurisë së të diplomuarit në tregun e punës, me synim mbrojtjen e huamarrësit nga ndodhi të papëlqyeshme siç mund të jetë paaftësia për të shlyer kredinë si pasojë e mossuksesit në tregun e punës, ndërsa në aspektin e barazisë ato ndihmojnë zgjerimin e pjesëmarrjes në arsimin e lartë. Së dyti, shkalla e interesit të kredisë studentore duhet të jetë e arsyeshme, në mënyrë që të nxisë kredimarrjen, por edhe të garantojë qëndrueshmërinë e skemës nga aspekti financiar. Së treti, kredia studentore duhet të mbulojë tarifën e studimit dhe shpenzimet e jetesës. Gjykohet se, nëse kredia nuk mbulon shpenzimet e jetesës, atëherë skema nuk do të rezultonte tërheqëse për një pjesë të individëve, të cilët zotërojnë të dhënat akademike dhe dëshirën për të studiuar, por hasin vështirësi financiare në mbulimin e kostos së jetesës. Vlerësohet se tarifat e studimit të diferencuara mbështesin synimin e alokimit efikas të burimeve brenda sektorit, ndërsa skema e kredive studentore lehtëson konsumimin e shërbimit, dhe së fundmi masat për të zgjeruar aksesin nëpërmjet bursave të studimit përmbushin parimin e drejtësisë shoqërore.
*M.Phil në Arsimin e Lartë