E Diel, 1 Nëntor 2026

Agolli: Politika të gjejë zgjidhje, po rrit zemërimin e popullit

Politikani flet për negociatat mes PD-së e PS-së dhe për masakrën e Tivarit

Politikani dhe shkrimtari i mirënjohur Dritëro Agolli i konsideron negociatat e fundit mes forcave politike si të vonuara. Në një intervistë për “Vizion+”, Agolli thekson se tashmë politika jo vetëm se është vonë për të korrigjuar gabimet e së shkuarës, por duhet të mendojë mirë atë çfarë do të bëjë me Kodin Zgjedhor. "Të dyja forcat politike kanë bërë një gabim të madh që nuk i kanë filluar më herët negociatat. Për këtë kanë faj të dyja partitë, të cilat kanë bërë një gabim me Kodin Zgjedhor, si dhe me Kolegjin Zgjedhor. Të dyja partitë kanë bërë një marrëveshje me atë Kod Zgjedhor dhe menduan se do të shkonte mirë. Mirëpo të dyja partitë nuk menduan mesa duket se çfarë vjen pas. Sipas meje, jo vetëm për hapjen e kutive, por drejtuesit tanë duhet të mendohen shumë mirë për ligjet që krijojnë në fillim të zgjedhjeve”, paralajmëron socialisti. Sipas tij, tashmë të dyjave partive po ju dalin në pah ato gabime që “gatuan” vetë. Sipas tij, është e rëndësishme që të gjendet patjetër një konsensus, sepse zemërimi i popullit për këtë situatë është në rritje. Në lidhje me hapjen ose jo të kutive të votimit, Agolli thekson se ai është për hapjen e pjesshme të disa kutive, aty ku janë evidentuar probleme. “Unë jam për hapjen e disa kutive në Berat, Shkodër dhe Tiranë. Por jo të gjitha kutitë”, bën të qartë politikani i vjetër. Po kështu, Agolli gjeti rastin të fliste edhe për zhvillimin e fundit në vend që lidhet me ngritjen e një komisioni hetimor për masakrën e Tivarit. Sipas tij, ngritja e kësaj çështje që i takon fundit të Luftës së Dytë Botërore është një teatër. "Unë mendoj se kjo çfarë po ndodh është vetëm një teatër politik. Ndaj dhe për këtë kjo lojë është një lojë politike tepër banale. Ngritja e kësaj ngjarjeje është antikombëtare, sepse, sipas tyre, ata që bënë këtë masakër janë me serbët. Ata që duan të ngrenë këtë problem duan të ndajnë Shqipërinë në serbë dhe shqiptarë”, thekson shkrimtari i mirënjohur. Sipas tij, këtë çështje duhet ta zgjidhin serbët dhe kosovarët.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›