E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti tjetërson dhe shet pasuritë e sekuestruara nga Antimafia

Asetet Në mbledhjen e radhës qeveria vendos për mënyrën se si do të përdoren pronat e krimit të organizuar

Qeveria përcakton kriteret e vlerësimit për procedurat e dhënies në përdorim dhe për tjetërsim të pasurive të konfiskuara që vijnë nga veprimtaritë kriminale. Sipas vendimit, të gjitha pasuritë që konfiskohen me vendim gjykate do t’i kalojnë në administrim agjencisë për pasuritë e konfiskuara dhe sipas këtij vendimi mund të bëhet vënia në përdorim e tyre nga vetë strukturat e shtetit, ose tjetërsohen nëpërmjet shitjes në ankande. Tashmë, me ligjin e ri dhe me vendimin e qeverisë, pasuritë e konfiskuara për krimin e organizuar mund të përdoren nga vetë shteti ose të tjetërsohen dhe të blihen nga privati.

Vlerësimi i pasurive

Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi përcaktimin e kritereve të vlerësimit, të mënyrave dhe të procedurave të dhënies në përdorim e të tjetërsimit të pasurive të konfiskuara në zbatim të ligjit “Antimafia”. Procedurave, të parashikuara në këtë vendim, do t’i nënshtrohen të gjitha pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Sipas të dhënave, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, brenda 90 ditëve nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të konfiskimit, i paraqet ministrit të Financave raportin e vlerësimit tekniko-financiar për pasurinë e konfiskuar. Agjencia ua përcjell vendimin e gjykatës institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e pasurive. Këto institucione bëjnë kalimin e pronësisë në emër të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Tarifat e shërbimit përballohen nga fondet e agjencisë. Taksat dhe detyrimet e tjera, të mbartura në ngarkim të pasurisë, deri në çastin e shitjes, përballohen nga agjencia. Ndërsa Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar bën rekomandimet për mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, të cilat ia paraqet ministrit të Financave. Ky i fundit, duke u bazuar në këto raporte, vendos për dhënien në përdorim ose tjetërsimin e pasurive të konfiskuara, si dhe jep udhëzime konkrete për destinacionin, mënyrën dhe kushtet e përdorimit të pasurive.

Dhënia në përdorim

Në rastet kur flitet për dhënien në përdorim të pasurive të konfiskuara janë disa organe që përfitojnë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, institucionet e zbatimit të ligjit, njësitë e qeverisjes vendore, si dhe organizatat jofitimprurëse për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar, janë subjektet që përfitojnë nga dhënia në përdorim. Më tej, qeveria ka përcaktuar edhe format e përdorimit, që sipas vendimit janë kalimi në përgjegjësi administrimi, për institucionet qendrore, kalimi në pronësi për njësitë e qeverisjes vendore dhe dhënia në huapërdorje për subjektet e tjera përfituese. Për procedurën e dhënies në përdorim të pasurive të konfiskuara, përfituesi duhet të paraqesë një kërkesë, ku të përcaktohet shprehja e interesit të motivuar e të argumentuar. Për mbikëqyrjen e veprimtarisë së përfituesit në përdorimin e pasurive të konfiskuara ngarkohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga ministri i Financave. Për çdo veprim, përfituesi i raporton Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Agjencia i raporton, një herë në vit, Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar për pasuritë e konfiskuara, të dhëna në përdorim, si dhe paraqet raporte me kërkesë të këtij të fundit.

Tjetërsimi i pasurisë

Veç vënies në përdorim, qeveria deklaroi se pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar do të tjetërsohen. Kjo do të kryhet sipas një komisioni për vlerësimin e çmimit të shitjes së pasurisë, që ngrihet nga kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ky komision do të ketë në përbërje një specialist të kësaj agjencie, një specialist të Ministrisë së Financave dhe një ekspert vlerësues të licencuar. Vlerësimi i pasurive bëhet nga komisioni, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, si dhe duke pasur parasysh llojin e pasurisë, të dhënat e saj, gjendjen fizike, vendndodhjen, destinacionin ekonomik etj. Komisioni i Vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij. Ai nxjerr vlerësimin përfundimtar, duke marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me tregun, por që ndikojnë në vlerën reale të shitjes. Raporti i vlerësimit të çmimit të shitjes shoqërohet me raportin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar dhe në rastet e shoqërive tregtare, nga raporti i vlerësimit kontabël. Ministri i Financave autorizon kryeadministratorin e AAPSK-së, rast pas rasti, për emërimin e ekspertit kontabël. Shitja e pasurive të konfiskuara bëhet me ankand publik. Procedura e ankandit kryhet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Në komisionin e ankandit merr pjesë edhe një përfaqësues i AAPSK-së si anëtar. Pasuria nxirret në ankand dy herë radhazi, në interval kohor jo më pak se 1 (një) muaj. Në ankandin e dytë do të zbatohet i njëjti çmim si në ankandin e parë. Në rast se ankandi dështon dhe herën e dytë, ministri i Financave, me rekomandim të Komitetit Ndërinstitucional të Ekspertëve, mund të urdhërojë për masën e uljes së çmimit të shitjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›