Agolli: “Të përsërisim ndeshjen e Bragës”
Ansi Agolli, kampioni i freskët me Tiranën e një nga pikat e forta të Kombëtares, pranoi faktin se pavarësisht presionit të madh psikologjik nga një emër i madh si Portugalia, Shqipëria e ka forcën e duhur për të bërë surprizën e radhës, ashtu si tetë muaj më parë në Braga (0-0). “Ndeshje të tilla si kjo kundër Portugalisë mendoj se i motivojnë vetvetiu futbollistët. Ne të gjithë do të bëjmë më të mirën për të arritur një rezultat pozitiv dhe për t’u paraqitur mirë përballë lojtarëve shumë cilësorë të ekipit kundërshtar. Pavarësisht presionit të madh që ka kundërshtari për rezultat pozitiv, te ne ekziston një dëshirë e zjarrtë për të dalë me pikë nga fusha e lojës. Pse jo, të përsëritim ndeshjen e Bragës, ku barazuam me meritë, edhe pse në inferioritet numerik”, - theksoi Agolli, i cili ka si kujtim nga këto eliminatore edhe një shtyllë kundër Hungarisë, në takimin e luajtur në Budapest. “Në lidhjen me të ardhmen time mund të them se unë vazhdoj të jem lojtar I Tiranës por oferta vijnë dhe mendoj se shanset janë 50 me 50 për të qëndruar tek Tirana ose për të luajtur me ndonjë ekip të huaj pasi unë personalisht mendoj se të luash me një ekip cilësor të huaj është një hap i madh në karrierën e një futbollisti”, - përfundoi Agolli, i cili ka luajtur edhe në Zvicër (Nojshatell e Lucern) e Finlandë (Vaas).
Duro: “Kuzhe na ka sjellë motivimin e duhur”
Klodian Duro, një nga mesfushorët më përvojë të Kombëtares, dhe kapiteni i Shqipërisë, në ndeshjen miqësore me Milanin, pranoi se ai dhe futbollistët e tjerë të skuadrës, ndihen shumë mirë me trajnerin e ri të Kombëtares, kroatin Josip Kuzhe. “Nga ajo që po shoh vetë por edhe nga ato që kam dëgjuar nga shokët që kanë qenë në ekipet e drejtuara nga Kuzhe mendoj se ai është një trajner i duhur për kombëtaren. Kam krijuar një opinion shumë pozitiv për Kuzhen dhe duket që ai është një trajner me shumë eksperiencë dhe që do të sjellë një ndryshim në kombëtare. Ai na ka sjellë një motivim të madh dhe grupi kundër Portugalisë po formohet shumë i fortë dhe do të ketë një fytyrë tjetër në fushën e lojës. Mendoj se nëse do ta kemi frymën e grupit do të arrijmë një rezultat pozitiv”, - tha Duro, autori i golit të tretë në fitoren 3-0 kundër Maltës, e vetmja në shtatë ndeshjet e para eliminatore. Ish-lojtari i Tiranës foli dhe për të ardhmen e tij. “Sa për ofertat ende nuk po mendoj për to, pasi e kam mendjen tek paraqitja me kombëtaren. Të kalojmë këto ndeshje e më pas të mendoj për ofertat. Megjithatë, aktualisht unë jam në kontratë me ekipin qipriot të Omonias ku ndihem mirë dhe këto ditë kam marrë një ofertë edhe nga AEK-u i Athinës”, - përfundoi Klodian Duro, i cili ka luajtur më parë dhe në Turqi e Gjermani.
2 Qershor 2009