E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani, letër Topit: “Partizanin e vrau politika”



Albert Xhani, presidenti i Partizanit, tashmë në Kategorinë e Parë, i ka kërkuar më anë të një letre të posaçme Presidentit të Republikës, Bamir Topit, ndihmën e numrit “1” të shtetit, në vendosjen e drejtësisë në lidhje atë “shkatërrim”, që i është bërë sipas tij, të kuqve, nga gjykimet tendencioze.
Pas rënies nga fatale nga kategoria, e dyta nw historinë e klubit legjendar, Xhani me anw tw njw letre publike, ka kërkuar ndihmën e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi për të mbrojtur sipas tij, KF Partizanin. “Prej gati një dekade jam në krye të klubit Partizani. Pasi arrita përmes mundimesh ta shkëpus nga duart e disa të huajve që donin të abuzonin me emrin e këtij klubi, jam financuesi i vetëm i tij. Më duhet të kujtoj se përkundër të gjithë klubeve të tjerë, që kanë pasur më së paku mbështetjen e bashkive, Partizani ka qenë totalisht i shkëputur nga shteti dhe çdo investim në të është krejtësisht personal. Pa dashur të justifikohem, mungesa e rezultateve nuk është pasojë e menaxhimit jo të mirë të klubit në tërësi nga ana ime. Por duke pranuar pjesën time të gabimeve, ajo që kam vërejtur është një strategji e tërë e ngritur me synim shkatërrimin, pse jo, eliminimin e këtij klubi”, - ka deklaruar presidenti Xhani. Më tej në Xhani ka akuzuar politikën dhe segmente të caktuara në federatë që kanë bërë të pamundurën për të ndëshkuar skuadrën e Partizanit. “Ndaj këtij klubi, që tashmë është kthyer në shënjestër të disa grupeve me interesa të pastra financiare, ka rinisur dhe një fushatë me petk politik. Ky i fundit s’është veçse një mbulesë për arritjen e qëllimit të paravendosur për ta shuar këtë emër nga historia e futbollit shqiptar. Përmes gjykimesh që janë kontestuar sistematikisht prej nesh, Partizani, sidomos i këtij sezoni, është dëmtuar qëllimisht. Guxoj të them kështu edhe pse jam i ndërgjegjshëm që gjatë këtij kampionati të fundit nuk kam qenë korrekt me skuadrën në pikëpamjen financiare. Rasti më i fundit, ai i gjykimit të ndeshjes së plejautit me Kastriotin është prova më e pakontestueshme për këtë”, thekson Bert Xhani.
Në fund Njëshi i klubit të kuq prek edhe çështjet e privatizimit të klubit si dhe ndërhyrjet për marrjen e godinës të KF Partizanit nga të ashtuquajturit pronarë të vërtetë të tokës. “Prej kohesh ka nisur sulmi ndaj klubit. Pasi na lanë pa stadium, pasi më mohuan në mënyrë të përsëritur kërkesën për të ecur në rrugën e privatizimit, çka do të thoshte marrjen me koncension të terreneve të klubit, tani po kërkojnë të na nxjerrin në rrugë të madhe. Zoti President, ju lutem, edhe në emër të mijëra fansave të skuadrës që të përdorni autoritetin tuaj për të mos lejuar nëpërkëmbjen e autoritetit të një klubi si Partizani. Kjo skuadër, por dhe tërë futbolli shqiptar do t’ju ishin mirënjohës për këtë”, ka përfunduar letrën e tij presidenti i KF Partizanit, Albert Xhani.

1
Trofe ka mundur të fitojë gjatë këtyre viteve skuadra e Partizanit nën dirigjimin e Bert Xhanit, vetëm Kupën e Shqipërisë më 2004 në finalen me Dinamon.

2
Herë ka rënë nga Kategoria Superiore skuadra e Partizanit në gjithë historinë e vet. Në sezonin 1998-1999 dhe në sezonin që sapo u mbyll, 2008-2009.

Prokuroria heton Shkumbini-Bylis

Takimi i shumëpërfolur Shkumbini-Bylis, i luajtur në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” (java e 32-të e Superligës) është vendosur nën hetim nga prokuroria e rrethit gjyqësor të Elbasanit. Ndeshja u fitua 2-0 nga Bylisi, por përpara takimit, trajneri i Shkumbinit, Gugash Magani dha dorëheqjen, duke deklaruar se nuk mund të ishte pjesë e pazarave, ndërkohë që dhe presidenti i dorëhequr, Xhavit Ismaili, pranoi publikisht se Shkumbini kishte toleruar. Rezultati i paravendosur i ndeshjes ndikoi në rrëzimin një kategori më poshtë, në të Parën, të Elbasanit, Partizanit e Lushnjës.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›