Zhduket në Atlantik avioni francez me 228 persona
Një avion i “Air France” me 228 persona në bord është zhdukur në brigjet braziliane. Përgjegjës të kompanisë franceze ajrore thanë se avioni ishte nisur prej Rio de Zhaneiro dhe kishte destinacion aeroportin e Parisit “Charles de Gaulle”. Ky avion mendohet të jetë goditur nga një rrufe si pasojë e motit të keq. Para se të humbiste kontaktet, është raportuar një problem në trupin e avionit. Njoftimet zyrtare e përshkruajnë këtë ngjarje si një aksident katastrofë. Airbus A330-200 dërgoi një mesazh automatik duke sinjalizuar futjen në qender të një stuhie. Kontakti i fundit me avionin mësohet të ketë qënë ora 20:33 e së dielës, duke iu referuar zyrtarëve brazilianë.
Koreja e Veriut, test bërthamor me rreze të gjatë veprimi
Edhe pse është kritikuar nga ndërkombëtarët, Koreja e Veriut pritet të testojë këtë muaj një raketë me rreze të gjatë veprimi, e dizenjuar të godasë territorin amerikan si dhe mund të përgatitet për të kërcënuar Seulin për kufirin e diskutuar detar mes dy vendeve. Lajmin e bëjnë të ditur burimet koreanojugore të informimit. Në një tjetër veprim që mund të shtojë tensionet, Pheniani po përgatitet për të zhvilluar një proces gjyqësor kundër dy gazetarëve amerikanë, të cilët i ka akuzuar për “veprime armiqësore”. Këshilli i Sigurimit ka paralajmëruar Korenë e Veriut se do të merren sanksione ndaj veprimeve të fundit pasi në këtë mënyrë rrezikohet siguria e rajonit dhe më gjerë. Ndërkohë të tjerë diplomatë janë shprehur se në këtë moment nuk duhen bërë presione ndaj Phenianit, i cili mbase po zhvillon këto prova për të treguar se është më i fuqishëm se më parë.
2 Qershor 2009