Marjana Kondi në një “trekëndësh dashurie”
Petrika GROSI
Para se të nisej drejt Britanisë së Madhe, ku tashmë zhvillohet Festivali i Uellsit “Fwansea film festival”, aktorja Marjana Kondi ka treguar për gazetën “Albania” të gjitha detajet në lidhje me rolin e saj më të fundit në kinema. Pikërisht filmi i regjisorit Pluton Vasi, është përzgjedhur për të marrë pjesë në festivalin e Uellsit, i cili ka për padrone diven e Hollivudit, Ketrin Zeta Xhons. Marjana Kondi ndihet në qiellin e shtatë që merr pjesë në një festival serioz si ai i Uellsit dhe këtë gjë nuk heziton ta shfaqë publikisht. Sa i përket fabulës së filmit ku ajo luan në një nga rolet kryesore, Marjana thotë: “Fabula e filmit sillet te një grua dhe dy burra, që e duan shumë këtë gruan, ndërkohë që edhe ajo i do shumë të dy. Gjithmonë bëhet fjalë për dy, sepse dhe vetë pjesa ka lidhje me dyjëzimin e personalitetit të njeriut. Në këtë pjesë që është mes dramës dhe komedisë ishte e admirueshme shkëputja, pra, dalja nga ricklimi komik i një realiteit bruto dhe pa spikatjen e asnjë vlere artistike që bëhet me morinë e produskioneve filmike komike në tregun shqiptar.” Sipas Kondit, niveli artistik i këtij filmi është mjaft i mirë, duke përfshirë të gjitha detajet dhe modulet e filmografisë. Për këtë film, janë marrë kuadro nga e kaluara e kohës komuniste që bëjnë kuptimin metaforik të asaj që me gjuhën e regjisorit, do të quhej ndryshe shoqëria shqiptaro-obeze. Obez nuk është fjala më tepër për shqetësime si shëndet sesa obeziteti në tru. Njeriu i dobët, i përulur bëhet një bartës i mirë i së keqes edhe kur nuk e ka brenda vetes këtë të keqe. Ai nuk mund të bëjë vetëpohimin. Personazhi kryesor i filmit është një gazetar që prej vitesh punon në një stacion televiziv privat dhe ka fituar një projekt për të realizuar një dokumentar mbi personalitetin e njeriut në Shqipëri. Ky gazetar gjendet përballë njerëzish me psikologji dhe mentaletite nga më të ndryshmet që vijnë gjithaq të dyjëzuar. Gjatë punës së tij ai përjeton mëdyshjen se edhe vetë, është pjesë e kësaj situate... Sa u përket aktorëve luajnë Xhevahir Zeneli, Marjana Kondi dhe Arben Derhemi. Filmi është zhvilluar në lojën e titrave bardh e zi të variantit dokumentar, duke i ndarë përgjysmë skenat me koloristikën e lojës së aktorëve. Marjana Kondi thotë se “Regjisori është munduar të na sjellë në gjuhën filmike për të folur shumë ngadalë dhe për të pasur një marrëdhënie të vërtetë.” E në këtë aspekt, ajo ka krijuar këtë herë një portret unikal të një aktoreje shumë serioze në një rol komik. Befasuese ishte me rolin e saj dhe miniaturat filmike të kuruara me kujdes dhe me një punë të madhe që ka bërë regjisori. “Fillimisht, patëm disa probleme për skenat erotike, gjë që mentaliteti im nuk e pranonte. Me vështirësi është bërë një zhveshje me reçipeta në fund.” –tregon aktorja Kondi, duke shpjeguar se regjisori nuk ka dashur për asnjë çast që t’i vinte aktorët në siklet. Ky film për Marjanën vjen pas disa interpretimeve të tjera pozitive të saj të viteve të fundit, ndër të cilat mund të përmendim filmin e Dhimitër Anagnostit, “Gjoleka, djali i Abazit”.
2 Qershor 2009