E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtim Çashku: “Politika të heqë gardhin nga ‘Marubi’”



Ditën e djeshme rektori i Akademisë të Filmit “Marubi”, Kujtim Çashku, ka dalë në një konferencë për mediat, gjatë së cilës ka denoncuar bllokimin dhe marrjen, sipas tij, me dhunë, të oborrit të shkollës nga administrata e televizionit “Top Channel”. Për më tepër, ja si është shprehur vet Çashku: “Administrata e Top-Channel me puntorët e saj, mbështetur në një vendim të qeverisë Berisha që nuk përkon aspak me realitetin në Akademinë ‘Marubi’, si dhe një firmë e z.Rama, rrethuan në mënyrë të dhunshme dhe nisën të dëmtojnë parkun e gjelbër dhe investimet e bëra prej 5 vjetëve në të. Kjo përpjekje është në vazhdën e 4 muajve shantazhi dhe diskriminimi kundër reputacionit në plan kombëtar dhe ndërkombëtar të Akademisë ‘Marubi’.” Më tej rektori Çashku vijon: “Fakti që prej kaq kohës i jemi drejtuar autoriteteve të vendit për zgjidhjen e çështjes ‘Marubi’, për të cilën kemi bërë dhe kallëzim penal pranë prokurorisë dhe kjo çështje vazhdon të degradojë tragjikisht, na bën të kuptojmë ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë, e cila nuk do t’ia dijë as për Kushtetutën e Shqipërisë që mbron me ligj integritetin e kampuseve universitare dhe as për kurrëfarë akti tjetër ligjor.” Gjithmonë sipas z.Çashku, hapat antiligjore që po ndërmerren çdo ditë nga kjo marrëveshje e fshehtë po çojnë në shkatërrimin e pronës publike, në prerjen e ullinjve 100-vjeçarë dhe në betonimin e sipërfaqeve të gjelbra. Gjithashtu, kineasti i njohur tregon se sapo është kthyer nga një takim me 18 personalitete të shquara, anëtarë të Akademisë Europiane të Filmit. Takimi në fjalë ishte organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komisionit Europian, Jose Manuel Baroso. “Në këtë takim kam trajtuar dhe çështjen dramatike të akademisë tonë, - thotë Çashku, ku për ironi të fatit takimi lidhej me të ardhmen e kulturës dhe arsimit në Europë, e në mënyrë të veçantë me mbështetjen e shkollave filmike e mediatike nga qeveritë e vendeve europiane. Kjo mbledhje do të pasohet së shpejti nga deklaratat e veçanta të Këshillit të Europës, drejtuar qeverive përkatëse.” Në mbyllje të fjalës së tij, Kujtim Çashku i ka bërë thirrje strukturave shtetërore për ta hequr rrethimin që i kanë bërë akademisë “Marubi”, në mënyrë që mësimi të zhvillohet normalisht dhe të mos krijohen skena të pamoralshme nga politika, ndërkohë që jemi në kohën e një fushate zgjedhore.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›