E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Moisiu-Meidani: Të ulen tensionet politike

TIRANË- Mesazhin për domosdoshmërinë e një dialogu politik mes palëve, presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka përcjellë dje bashkë me dy paraardhësit e tij, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, përmes një takimi të zhvilluar mes tyre. Presidenti i Republikës priti dje në një takim të veçantë pune në zyrën e tij dy ish-krerët e mëparshëm të shtetit shqiptar, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, kryetari i Shtetit, Topi, dhe dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani, të përqendruar kryesisht në zhvillimet më të fundit në vend, ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta se “situata e rënduar politike, jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e dymbëdhjetë kërkesave të Bashkimit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat”. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu dy ish-presidentët për angazhimet e tyre publike. “Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”,- u shpreh ai gjatë takimit. Në këtë drejtim, të dy ish-presidentët, Moisiu dhe Meidani, dhe presidenti Topi, theksuan domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike dhe rikthim në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare, si dhe gjetjen nga ana e partive politike të vullnetit të duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe konsensus. “Duke vlerësuar lart rolin e ekuilibruar dhe moderator të presidentit Topi, ‘i cili ka treguar gjithmonë në çdo hap se është respektues i Kushtetutës dhe simbol i unitetit të popullit”, dy ish-presidentët vunë në dukje se ‘do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme, që përmes komunikimeve me tone të qeta e të matura, vijon të përmbushë misionin e lartë e tepër të rëndësishëm të Kryetarit të Shtetit, duke zbatuar rigorozisht Kushtetutën e Shqipërisë dhe të gjithë kuadrin ligjor”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›