Intervista/Arben Imami: “Sistemi funksionoi, por ai s’ka vaksinë për bojkotin e Edi Ramës”

Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi ministri i Mbrojtjes Arben Imami konfirmon qëndrimin e mazhorancës se paketa e Ramës prej 10 pikash, është e papranueshme në kushtet kur Shqipërisë i kërkohet plotësimi i 12 rekomandimeve ë Brukselit. Gjatë një interviste televizive, Imami tha se “përmes parakushteve opozita synon të zvarrisë procesin e integrimit të vendit”. Sipas tij, mazhoranca ka bërë gjithçka është e mundur që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, por problemi qëndron tek mos votimi i ligjeve dhe fryma bojkotuese e Partisë Socialiste. “Problemi themelor është se nëse nuk do ishte ky bllokim do ishte një tjetër aspekt. Është e vështirë për secilin vend të BE-së të mendojë dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, atëherë kur opozita e këtij vendi bojkoton, bllokon ligjet dhe s’merr pjesë në jetën institucionale të vendit. Prandaj janë dhe votat me 3/5 që të ketë bashkëpunim mes forcave politike. Shqiptarët gjykojnë dhe çështja qëndron tek mosnjohja e zgjedhjeve, edhe pse ato janë të certifikuara nga faktori ndërkombëtar. Nëse Shqipëria humbet mundësinë edhe për këtë vit, është shumë e qartë se ky vlerësim negativ vjen nga bojkotimi dhe bllokimi i ligjeve dhe reformave nga Partia Socialiste”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ai theksoi se PD është e gatshme të bashkëpunojë me PS, porsa i takon 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR, për reformën zgjedhore. Imami u shpreh kundër ndryshimit të sistemit, ndërsa pranoi se Kodit Zgjedhor ka nevojë për korrektime. “Jemi të gatshëm të ulemi për reformën zgjedhore. Rekomandimet janë të qarta dhe janë dy palë zgjedhje që ligji ka funksionuar, por ka nevojë për përmirësime dhe korrektime, nuk mund të bëhet fjalë për ndryshimin e sistemit. Ky sistem funksionoi si në zgjedhjet parlamentare ashtu edhe ato lokale”, tha më tej ai.
...