E Diel, 1 Nëntor 2026

Cliff: Nuk kemi paraparë një Bosnje të dytë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff ka thënë se asnjë strukturë e etniteteve të veçanta nuk është e dëshirueshme as tash e as në të ardhmen në Kosovë, duke shtuar se në asnjë çast dhe në asnjë mënyrë nuk është paraparë krijimi i një strukturë të veçantë në veri të vendit. Ambasadori britanik i bëri këto komente gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Kolegjit Universitar “Pjetër Budi”, ku ka pranuar se do të ketë bisedime për veriun.

Studentët i kanë bërë disa pyetje ambasadorit, se a mund të krijohet edhe në Kosovë një Bosnje e dytë me krijimin e strukturave të veçanta, por përgjigja e ambasadorit ka qenë që kjo nuk është e pranueshme.

Ai ka pranuar se do të ketë bisedime për veriun, pasi që siç ka thënë ai nuk mund të bisedojë Prishtina dhe Beogradi pa u përfshirë edhe banorët lokal të veriut.

“Në media ka qenë se ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper, ka thënë se do të ketë bisedime edhe për veriun. Në shtigje të afatgjata do të ketë bisedime edhe për veriun. Nuk mund të bisedohet mes Prishtinës dhe Beogradit pa banorët lokal në atë pjesë”, ka thënë Cliff, por sipas tij, ajo çka është e sigurt, nuk do të ketë një strukturë si në Bosnje.

Ndërsa duke folur rreth përfaqësimit të Kosovës me fusnotë, ka thënë se kjo është një gjë e mirë, por sipas tij nuk është idealja./Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›