E Shtunë, 31 Tetor 2026

“AgroBlend”: Do i dëmshpërblejmë fshatarët me misër

Kompania “AgroBlend”, e cila iu ka shitur fermerëve vendas farë misri që nuk jepte prodhim, bëri me dije se do të dëmshpërblejë fermerët e dëmtuar me misër dhe jo me pará. Drejtues të kësaj kompanie thanë se të gjithë fermerët që kanë përdorur farën e misrit “Aliseo”, do të dëmshpërblehen në misër. Sipas tyre, AFADA ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar në disa zona të vendit, ku fermerët kanë blerë farë misri “Aliseo”, të importuar nga Franca, e cila nuk ka dhënë prodhim misri dhe ka dëmtuar kështu ekonomitë e tyre. “Është e vërtetë që ka patur problem me një pjesë të kontigjentit të farës së misrit dhe kompania tregtuese “AgroBlend” është në pritje të analizave të marra nga mostrat e misrit, si nga kompania prodhuese, po ashtu dhe nga ekspertët vendas të dikasterit të bujqësisë, të angazhuar për këtë çështje”, - bënë me dije drejtues të kompanisë. Në fakt, dëmshpërblimi i fermerëve do të jetë shumë i vështirë, në mos i pamundur, pasi do të jetë shumë e vështirë të evidentohet saktësisht sasia e arave të mbjella me këtë farë dhe, në anën tjetër, do të jetë shumë e vështirë që kompania të pranojë të zhdëmtojë plotësisht fermerët. Ministria e Bujqësisë në një përpjekje të padëgjuar askund për t’iu shmangur përgjegjësive tha dje se ajo nuk ka asnjë përgjegjësi dhe kjo është thjesht një marrëdhënie mes privatëve, domethënë, mes kompanisë dhe fermerëve. Ministria e Bujqësisë e banalizoi çështjen, edhe kur tha se bëhet fjalë vetëm 100 kuintalë dhe se farërat dhe fidanët në vend janë të sigurt. Kjo papërgjegjshmëri e Ministrisë shqiptare të Bujqësisë po çon edhe në këto vendime që kompania të shprehet se ajo do t’iu japë misër fshatarëve. Zhdëmtimi gjithkund bëhet në pará. Megjithatë, AFADA tha dje se ajo vlerëson seriozitetin e kompanisë “AgroBlend” dhe masat që kjo kompani ka marrë për të zgjidhur situatën, duke verifikuar me ekspertë në terren parcelat e mbjella, me qëllim që të kryhet një kompensim sa më i saktë. Ndërkohë, pritet përgjigjja nga kompania prodhuese për të evidentuar shkaqet që sollën këtë fenomen. AFADA është krijuar me mbështetjen e USAID në vitin 1993 dhe është një shoqatë jo-fitimprurëse që ka 112 anëtarë në të gjithë Shqipërinë. Sipas AFADA-s, në Shqipëri këtë vit janë importuar rreth 750 tonë farë misri, ndërkohë që sasia me probleme është afërsisht 10 tonë ose 1.3 % e totalit të farës së misrit të importuar në vend. Kjo në fakt duket se është e pavërtetë, pasi këtë shifër ministria e dha edhe para 1 jave, por tashmë shumë parcela të reja zbulohen me misër pa kokrra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›