Mediu, shtatë orë në prokurori
Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti Fatmir Mediu ka dalë vetëm pas shtatë orësh nga Prokuroria e Përgjithshme, ku ndodhej për t’u pyetur nga prokurorët në lidhje me ngjarjen e Gërdecit.
Mediu shoqërohej nga avokatët e tij, Petrit Serjani dhe Ardian Visha.
“Ne i jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve që na u bënë nga grupi i prokurorëve të çështjes së Gërdecit”, - deklaroi Ardian Visha, ish-drejtor i Ekstradimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, aktualisht këshilltar ligjor i Mediut.
Ish-prokurori Visha shtoi se “ne i dhamë përgjigje të gjitha argumenteve, për të cilat u kërkuan informacione nga prokurorët, çështja është komplekse, ndërsa kemi shprehur sigurinë se në rolin e ministrit ai nuk ka bërë asnjë shkelje”.
Ndërkohë, vetë Fatmir Mediu nuk ka pranuar të flasë duke u larguar në heshtje nga Prokuroria e Përgjithshme, ku “ishte ngujuar” që nga ora 10.00 e paradites së djeshme.